Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Sqarim publik për vizitën e Hashim Thaçit në Grackë: Reagim ndaj kritikave të Vjosa Osmanit

Sqarim publik për vizitën e Hashim Thaçit në Grackë: Reagim ndaj kritikave të Vjosa Osmanit

Prishtinë – Autorja Ardita Shkodra ka reaguar publikisht ndaj kritikave të presidentes Vjosa Osmani lidhur me vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi në memorialin e 14 civilëve serbë të vrarë në Grackë të Lipjanit, duke e cilësuar këtë kritikë si të vonuar dhe të motivuar politikisht, shkruan TV Arbëria.

Sipas Shkodrës, vizita e Thaçit në Grackë në vitin 2016 ishte e qëllimshme dhe e vetëdijshme, në vazhdën e qëndrimeve të tij të hershme publike për dënimin e vrasjes së civilëve, pavarësisht përkatësisë etnike.

Ajo rikujton se në korrik të vitit 1999, pas vrasjes së 14 civilëve serbë në Grackë – një ngjarje që tronditi opinionin publik ndërkombëtar – Hashim Thaçi kishte reaguar menjëherë me një konferencë urgjente për media, ku e dënoi ashpër aktin, duke deklaruar se “frikacakët që nuk kanë vrarë në luftë, po vrasin në liri”.

Ky qëndrim, sipas autores, ishte përshëndetur edhe nga administrata amerikane e kohës. Ajo citon deklaratën e Samuel Berger, këshilltar për Siguri Kombëtare i presidentit Bill Clinton, i cili kishte bërë të ditur se “lideri kosovar Thaçi i kishte dënuar ashpër vrasjet në Grackë”.

Shkodra thekson se edhe komandanti i atëhershëm i KFOR-it, gjenerali Mike Jackson, kishte lënë të hapur mundësinë që vrasjet të ishin kryer nga shërbimet serbe të sigurisë, me qëllim diskreditimin e UÇK-së, duke e krahasuar rastin me atë të njohur si “Panda”.

Sipas autores, vizita e Thaçit në Grackë dhe publikimi i saj në rrjetet sociale ishte një mesazh i qartë për opinionin ndërkombëtar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte lidhje me këtë krim dhe se lufta e saj kishte qenë kundër regjimit jugosllav, jo kundër civilëve të pafajshëm.

Në reagimin e saj, Shkodra kritikon ashpër Vjosa Osmanin, duke e akuzuar për qëndrim armiqësor ndaj UÇK-së dhe duke theksuar se historia e luftës çlirimtare nuk mund të rishkruhet për qëllime politike. Ajo shton se vizioni politik i Thaçit në atë periudhë ishte një nga faktorët kyç që e bëri NATO-n aleate të Kosovës, duke iu referuar edhe deklarimeve të diplomatit amerikan James Rubin.

Reagimi përmbyllet me theksimin se mesazhi i UÇK-së ka qenë i qartë, luftë kundër regjimit shtypës serb, jo kundër civilëve të asnjë etnie.

/TV Arbëria