Organizata “Shqiptaria” sqaron opinionin publik lidhur me reagimin tonë ndaj deklaratës së Don Shan Zefit, për të cilën u referuam në bazë të informacionit të publikuar në media lidhur me një reportazh të radios publike gjermane Deutschlandfunk.
Pas reagimeve të shumta dhe diskutimeve që pasuan, vlerësojmë se formulimi ynë dhe mënyra e adresimit të çështjes kanë nxitur tension dhe keqkuptime më të mëdha sesa ishte synimi ynë. Për këtë arsye kërkojmë falje publike për këtë lajthitje dhe për shqetësimin e shkaktuar, si ndaj Don Shan Zefit, ashtu edhe ndaj besimtarëve katolikë dhe qytetarëve që janë ndjerë të prekur.
Qëllimi ynë nuk ka qenë as demonizimi i një kleriku dhe as cenimi i një komuniteti fetar. Reagimi kishte synim të vetëm tërheqjen e vëmendjes ndaj çdo gjuhe që mund të prodhojë ndarje shoqërore. Organizata “Shqiptaria” nuk është kundër religjioneve dhe as kundër praktikimit të tyre; ne mbrojmë lirinë fetare si të drejtë themelore.
Qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: feja i përket sferës private, ndërsa shoqëria dhe shteti duhet të mbeten laikë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët, pavarësisht besimit të tyre.
Nga ky rast nxjerrim një mësim të rëndësishëm: edhe kur informacioni merret nga burime të besueshme, ai duhet trajtuar me kujdes maksimal dhe me përpjekje shtesë për verifikim dhe kontekstualizim, në mënyrë që të shmangen keqinterpretimet.
Ne vlerësojmë të gjitha reagimet – mbështetëse dhe kritike – dhe besojmë se sqarimi është gjithmonë më i dobishëm se përshkallëzimi. Don Shan Zefit i urojmë të mirat në misionin e tij dhe shprehim gatishmërinë që debatet publike të zhvillohen me respekt dhe përgjegjësi reciproke.
Organizata “Shqiptaria”