Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Spitali i Ferizajt ua ul pagën 20% për dy muaj mjekëve që punuan në privat gjatë orarit të kujdestarisë

Spitali i Ferizajt ua ul pagën 20% për dy muaj mjekëve që punuan në privat gjatë orarit të kujdestarisë

Komisioni disiplinor i Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, iu ka shqiptuar masë disiplinore mjekëve Ragip Bytyqit dhe Sylejman Metushi, duka ua ulur 20 përqind të pagës për dy muaj.

Kjo, pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi”, me titull “Ikja” e mjekëve nga orari i punës prej spitaleve publike,i transmetuar më 16 nëntor 2024, ku tregohej se si mjekët Bytyqi dhe Metushi, gjatë orarit të kujdestarisë kanë shkuar të punojnë në një klinikë private për disa orë.

“Kjo shkelje është bërë e njohur përmes një video-incizimi të publikuar nga portali “Betimi për Drejtësi”, ku shihet se i përmenduri, në muajin janar të vitit 2024, ka qenë në detyrë si kujdestar në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt. Megjithatë, ai ka braktisur orarin e punës gjatë kujdestarisë në spital, konkretisht gjatë orarit ka shkuar në një klinike private, ku ka vizituar një pacient”, thuhet në dy vendimet e marra nga komisioni disiplinor.

Në këto vendime të marra më 6 dhjetor 2024, mjekëve iu tërhiqet vërejtja që të përmirësojnë sjelljen dhe të respektojnë detyrimet dhe kontratën e punës.

“Ky është një paralajmërim i fundit, dhe në rast se kjo shkelje përsëritet, mund të shqiptohen masa më rigoroze disiplinore, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara”, thuhet tutje në vendimet e marra nga Spitali.

Në anën tjetër, hulumtimi tregonte se edhe dy mjekët e spitalit të Mitrovicës, Astrit Ukimeri dhe Mirdi Strana gjatë orarit të kujdestarisë kanë shkuar në ndejën e organizuar nga ky spital më 16 shkurt 2024.

Mirëpo, Spitali i Mitrovicës nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndaj tyre me arsyetimin se mjekët në ndejë kishin shkuar me leje.

“Mjekët të cilët kanë qenë në Festën e Pavarësisë, kanë qenë me leje të u.d. Drejtorit Mjekësor dhe për mjekët të cilët kanë qenë prezent në këtë Festë janë zëvendësuar nga kolegët e tyre të lëmive përkatëse të të njëjtit repart dhe shërbimet/repartet nuk kanë mbetur pa shërbim të caktuar mjekësor dhe për këtë arsye nuk kam marr asnjë veprim sepse prapë po e theksoj se zëvendësimet e përkohshme kanë kryer shërbimet mjekësore adekuate”, thuhet në përgjigjen e u.d drejtoreshës se Spitalit të Mitrovicës, Laura Nushi.

Por, në emisionin e transmetuar nga “Betimi për Drejtësi”, i pa informuar ishte shprehur drejtori mjekësor, Gëzim Berisha. Ai përmes telefonit kishte thënë se as Ukimeri e as Strana nuk e kanë njoftuar për ndonjë zëvendësim të mundshëm.

Berisha: Unë jo!

Gazetarja: Nuk keni qenë i informuar për këtë punë?

Berisha: Jo. Por ndoshta mos kanë bo naj marrëveshje me drejtoreshën ekzekutive naj sen, mos kanë bo ndonjë zëvendësim apo diçka mirëpo nuk kam informata të sakta.

Gazetarja: Për shkak se e kemi telefonu doktorin Astrit Ukimerin edhe i njëjti na ka thanë që ka lënë zëvendësim edhe për zëvendësimin e tij ka qenë i informuar drejtori mjekësor që po i bie për juve.

Berisha: Nuk po më kujtohet se kur është bërë. Duhet me kqyrë a ka lanë me shkrim diçka.

Gazetarja: Doktor Mirdi Strana, a të kujtohet?

Berisha: Me mu nuk kanë bo naj marrëveshje diçka, por ka mundësi që me doktoreshën Laurë, kështu që prandaj të hënën e shoh edhe ta qoj një email.

Prononcimi i drejtorit mjekësorë ishtë bërë më 16 gusht, ndërsa tre ditë më vonë, përmes emailit, Spitali Rajonal në Mitrovicë, ka njoftuar se të dy mjekët, Ukimeri dhe Strana kanë bërë lajmërim me shkrim për zëvendësimet që do të bëhen.

Pas pranimit të përgjigjeve, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar nga spitali që të dërgojnë edhe dokumentet të cilat tregojnë për zëvendësimin e dy mjekëve.

Menaxhmenti i spitalit kishte dërguar përmes emailit dokumentin në të cilin tregohet se Mirdi Strana ka bërë kërkesë me shkrim për të zëvendësuar, ndërsa për Astrit Ukimerin thonë se nuk i ka premtuar kohë për të bërë kërkesën me shkrim për zëvendësimin e tij.

Redaksia kishte kërkuar nga spitali që dokumentin të dërgojnë të protokolluar por të njëjtët kanë thënë se rastet e tilla nuk i protokollojnë.

Hulumtuesi i Lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Flamur Kabashi, kishte sqaruar se sipas Ligjit për Administrimin e Punës në Zyrë, është obligim që dokumenti të protokollohet.

Në anën tjetër, “Betimi për Drejtësi” kishte siguruar 17 raporte të Komisionit të Brendshëm të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në të cilat tregohet se sa mjekë, infermierë e personel tjetër shëndetësor nuk kanë qenë në orar të punës gjatë kontrollit të komisionit si dhe nuk është respektuar kodi etik i punës.

Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar nga ShSKUK të na ofroj informata çfarë veprime janë ndërmarrë ndaj klinikave dhe spitaleve të përfshira ne raportet e komisionit të brendshëm të QKUK-së, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.