Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > SPD e dëshiron Scholzin si kandidat për kancelar, kërkon unitet

SPD e dëshiron Scholzin si kandidat për kancelar, kërkon unitet

Pas debatit disaditor mes socialdemokratëve se kush do të jetë kandidat i tyre për kancelar në zgjedhjet e parakohshme, tani nga SPD kërkohet unitet.

Nënkryetarja e Partisë Socialdemokrate, Anke Rehlinger, e sheh partinë e saj SPD të pozicionuar mirë për zgjedhjet e parakoshme parlamentare më 23 shkurt me Olaf Scholz si kandidat për kancelar. Partia ka një bazë të mirë tani për të qenë fituese në zgjedhje, tha Rehlinger për RBB. “Olaf Scholz është kancelar dhe duhet të qëndrojë i tillë”.

Uniteti brenda partisë ekziston

Vetëm për shkak se pati një debat për kandidaturën për kancelar, nuk mund të flitet se nuk ka më unitet brenda partisë, theksoi Rehlinger. “Tani duhet të bashkojmë radhët”, citon dpa socialdemokraten. Por sondazhet parazgjedhore tregojnë se në tre muajt e ardhshëm, Scholz do duhet të bëjë një hov të jashtëzakonshëm për të fituar zemrën e elektoratit. Atij i duhen të kalojë rreth 15 deri në 20 pikë përqindjeje në sondazhe që të arrijë të mundë Unionin CDU/CSU dhe të mbesë në detyrë si kancelar.

Pistorius i dha fund debatit

Pasi ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius ,hoqi dorë të enjten nga kandidatura për kancelar, kryesia e partisë, SPD dëshiron të emërojë kancelarin, Olaf Scholz si kandidat për kancelar për zgjedhjet e parakoshme, të hënën e ardhshme. Ditë me radhë pati debat në Gjermani rreth pyetjes se kush do të ishte kandidati për kancelar i socialdemokratëve. Pas dështimit të koalicionit qeverisës, gjithnjë e më shumë politikanë të SPD-së në nivel lokal, shtetëror dhe federal u shprehën hapur për ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius në ditët e fundit, si kandidat për kancelar. Boris Pistorius është politikani që gëzon më shumë popullaritet në Gjermani, në sondazhe.

Por të enjten në mbrëmje, Pistorius i dha fund debatit me deklaratën e tij. “Sapo kam njoftuar kryesinë e partisë dhe të grupit parlamentar, që nuk jam në dispozicion për të kandiduar për postin e kancelarit”, deklaroi Pistorius në video-mesazhin e publikuar në faqen e internetit të partisë socialdemokrate. Ai tha, se nuk e ka hapur ai këtë diskutim dhe as nuk e ka shtruar çështjen e kandidimit. Pistorius kritikoi madje debatin e ditëve të fundit. Debati për kandidaturën për kancelar e ka dëmtuar SPD-në dhe i ka çoroditur zgjedhësit, tha Pistorius./DW/

Themes by WordPress