Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Spahiu: Vendimi për Thaçin do të ndikojë fort në skenën politike në Kosovë

Spahiu: Vendimi për Thaçin do të ndikojë fort në skenën politike në Kosovë

Kriza për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës vijon të mbetet e hapur, ndërsa partitë politike po përballen me vështirësinë për të siguruar votat e nevojshme në Kuvend.

I ftuar në një intervistë për “Ora News”, profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, deklaroi se ende ekzistojnë mundësi për arritjen e një marrëveshjeje politike, duke theksuar se gjithçka do të varet nga lëvizjet dhe qëndrimet e liderëve të partive.

Sipas Spahiut, gjasat për rikthimin e vendit në zgjedhje të reja tashmë janë më të vogla, ndërsa përpjekjet për sigurimin e numrit të nevojshëm të deputetëve për zgjedhjen e presidentit pritet të vijojnë.

“Gjithmonë ka hapësirë nëse ka vullnet, por problemi është të studiojmë, të bëjmë psikoanalizën e liderëve politikë në mënyrë që të mund të arrijmë në një përfundim se çfarë do të ndodhë në fakt”, u shpreh Spahiu.

Profesori u ndal edhe te kandidatura e Bekim Sejdiut, i propozuar nga Vetëvendosje dhe LDK për postin e presidentit.

Spahiu e cilësoi si të veçantë faktin që dy partitë kanë mbështetur një figurë me të kaluar politike të lidhur me PDK-në. Sipas tij, Sejdiu ka qenë kryetar i forumit rinor të kësaj partie dhe më pas është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese gjatë periudhës kur Hashim Thaçi ishte në kulmin e pushtetit.

Spahiu vlerësoi se kjo mund të ndikojë edhe te qëndrimi i disa deputetëve të PDK-së, të cilët mund të vendosin të votojnë ndryshe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar.

“Është e pritshme që ndoshta ndonjë deputet i PDK-së të plotësojë zbrazëtirën edhe të mbushet kjo hapësira prej këtyre gjashtë deputetëve të munguar për ta votuar”, tha ai.

Spahiu paralajmëroi gjithashtu se vendimi i pritshëm i Gjykatës Speciale pas 16 shtatorit mund të ketë ndikim të madh në zhvillimet politike në Kosovë.

Sipas tij, një vendim në favor ose në disfavor të Hashim Thaçit mund të ndryshojë raportet politike dhe pozicionet e partive.