Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, ka vlerësuar se debati mes pushtetit dhe opozitës për çështjen e votimit të mërgatës po përdoret si instrument për përfitime politike.
Ai ka theksuar se opozita, megjithëse nuk ka shprehur kundërshtim të drejtpërdrejtë, ka manifestuar pakënaqësi në forma të ndryshme, gjë që sipas tij po e dëmton vetë atë.
Ai ka shtuar se opozita është dashur të fokusohet në përmirësimin e mënyrës së votimit për diasporën, në vend se të kundërshtojë procesin.
“Nëse është thënë që për t’ia lehtësuar mërgatës votimin duhet bërë kjo, atëherë opozita është dashur të kujdeset që ajo lloj mënyre e votimit të rregullohet, por përderisa e kundërshton del keq.”
Sipas Spahiut, opozita po vepron në mënyrë të gabuar kur, për shkak të bindjes se vota e diasporës dominohet nga Lëvizja Vetëvendosje, po synon të kufizojë rolin e saj në procesin zgjedhor.
“Për shkak të paragjykimit që vota e diasporës në shumicë shkon te Vetëvendosja, opozita në vend që të luftojë t’ia marrë VV-së votën e diasporës, po lufton që diaspora të mos ketë të drejtë vote. Këtë po e thonë në mënyrë të tërthortë dhe jo në mënyrë direkte”, ka përfunduar Spahiu.