Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Spahiu: Lufta mes Greqisë dhe Shqipërisë s’është për 5 mijë lekëshin e Fredi Belerit

Spahiu: Lufta mes Greqisë dhe Shqipërisë s’është për 5 mijë lekëshin e Fredi Belerit

Shkruan: Kreshnik Spahiu – Lufta mes Greqisë dhe Shqipërisë s’është për 5 mijë lekëshin e Fredi Belerit.

Lufta e BE-së kundër vetos Athinës s’është kundër 5 mijë lekëshit të votave që bleu Beleri.

Kancelari Scholz, presidenti Macron nuk po deklarohen çdo ditë kundër Greqisë sepse janë të shqetësuar për 5 mijë lekëshin në xhepin e Belerit.

E gjithë kjo përplasje nuk ndodh për Belerin por për Himarën.

Problemi i Athinës apo pengesa e Greqisë nuk është Edi Rama por Perëndimi.

25 vite më parë Greqia për të njëjtën arsye e izoloi Shqipërinë në fazat e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim në BE për të njëjtën arsye.

4 minoritar grek u arrestuan nga drejtësia shqiptare, por në ato vite Greqia kishte në krah SHBA dhe BE.

Vitet 1995-1997 ishin një betejë e ashpër e cila u kurorëzua me hapjen e depove me armë dhe përmbysjen me dhunë të qeverisë Berisha e cila refuzoi kërkesat e Washingtonit për lirimin e 4 minoritarëve grek që akuzoheshin për vrasjen e masakrës së Peshkëpisë.

Pyetja shtrohet: Pse sot Washingtoni dhe Brukseli nuk janë në krahun e Greqisë por janë hapur pro Shqipërisë?

Thelbi i konfliktit nuk është kërkesa e Greqisë për çlirimin e Belerit por për helenizimin e Himarës.

Shërbimet inteligjente kanë njoftuar qeverinë shqiptare dhe partnerët euroatlantik që Athina ka projekt helenizimin nëpërmjet marrjes së bashkisë Himarë dhe kërkesave për një asociacion të bashkive greke duke u bashkuar me Dropullin dhe Finiqin.

Amerika dhe Europa nuk mund të lejojnë Zajednica 2 në Ballkan.

Perëndimi ka treguar jo vetëm shenja lodhjeje por dhe nervozizmi me veriun e Kosovës një konflikt i krijuar nga nacionalistët serb prej të cilit po shpenzohet shumë kohë, energji, financa, burime njerëzore dhe ushtarake prej vitesh.

Një Himarë e kontrolluar nga Athina do ishte një minë me sahat për stabilitetin në rajon.

Fredi Beleri ra në rrjetën e drejtësisë por konflikti nuk është 5 mijë lekëshi por 5 mijë problemet dhe 5 mijë pretendimet nacionaliste etnike helene që Athina do krijonte në jugun e Shqipërisë.

Edi Rama nuk është armiku i Greqisë sepse edhe ai ka mandatuar një grek në krye të Bashkisë.

Edi Rama nuk është pengesa e Athinës sepse ai e ka favorizuar shumë Fredi Belerin.

A e dini që Rama po e trajton Belerin më mirë se kryetarët shqiptarë të bashkive qe ka shkarkuar?

Pse nuk mbledh qeverinë dhe ta shkarkojë Belerin:

– njësoj si shkarkoi Shukri Xhelilin në Dibër?

– njësoj si shkarkoi Valdrin Pjetrin në Shkodër?

– Njësoj si Lefter Allën në Bulqizë?

– njësoj si Safet Gjicin në Shkodër?

Dhe në fund: Pse kryeministri Rama dhe presidenti Begaj nuk shpallin zgjedhjet e parakohshme në Himarë por presin vendimin e formës së prerë nga gjykata?

Pse kryetarët shqiptarë të bashkive nuk u prezumuan të pafajshëm deri sa ti dënonte gjykata?

Për të gjitha këto arsye Greqia duhet kuptojë se Edi Rama nuk është prokurori i Belerit por avokati i tij. Rama po e përkëdhel pak si shumë rastin Beleri duke mos shpallur zgjedhjet e parakohshme.

Athina është e nervozuar jo sepse Rama ka burgosur Belerin, por sepse SHBA dhe BE janë bërë avokate të Shqipërisë në këtë debat.

Përgjigja është e thjeshtë: Amerika dhe Europa duan paqe dhe stabilitet.

Perëndimi nuk mund lejojë që shërbimet ruse dhe kineze të penetrojnë në rivierën shqiptare me investime në industrinë e turizmit njësoj siç ndodhi vite më parë në Greqi, Mal të Zi, Serbi apo Maqedoni.

Ato e kanë të qartë se Beleri nuk fitoi me 10 vota plus nga votat e minoritetit grek por nga votat që Berisha-Meta bashkuan me Athinën.

Për këto arsye, Washingtoni dhe Brukseli duan një Himarë që kontrollohet nga qeveria dhe Shqipëria por jo një Himarë të “pushtuar” nga Berisha dhe Greqia.

/TV Arbëria

Themes by WordPress