Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu vazhdon të hesht për planin rregullues për lagjen “Kalabria” në Prishtinë, duke mos dhënë asnjë shpjegim apo deklaratë për këtë çështje të rëndësishme.
Përkundër interesimit të Paparacit gjatë të mërkurës, për të marrë një deklaratë nga ministri, ai ka refuzuar të komentojë apo të japë ndonjë sqarim për planin që pritet të miratohet.
Heshtja e ministrit vetëm sa i konfirmon raportimet rreth këtij plani dhe marrëveshjeve që qëndrojnë pas tij.
Paparaci gjatë të mërkurës ka raportuar se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës pritet që ta miratojë planin rregullues për lagjen “Kalabria” të kryeqytetit, si pjesë e një marrëveshjeje mes partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Komunës së Prishtinës, që udhëhiqet nga Përparim Rama.
Paparaci, nga burime brenda dikasterit qeveritar që udhëhiqet nga Liburn Aliu, merr vesh se është arritur pajtueshmëri për kalimin e këtij plani.
Burimet e njëjta kanë pohuar se, pavarësisht nga shkeljet e konstatuara në zonën në fjalë, pritet që Aliu të japë “dritën e gjelbër” në mënyrë të qetë dhe pa komente publike zyrtare, njëherit duke iu kushtuar zbatimit të tij.
Theksojmë se sot (e mërkurë) shënohet edhe afati i fundit kur Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës duhet t’i kthejë përgjigje Komunës së Prishtinës për planin.
E në rast se mungon një e tillë brenda afatit të përcaktuar prej 15 ditësh, kjo konsiderohet një heshtje administrative dhe miratim i hartës së re zonale për këtë lagje të kryeqytetit.