Kuvendi i Kosovës sot vazhdon punimet në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Seanca konstituive e Kuvendit nuk ka arritur të përmbyllet as të martën, në përpjekjen e 58-të. Edhe pse janë zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, procesi i konstituimit ka mbetur i papërfunduar për shkak të pamundësisë për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.
Deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur për kryeparlamentar të ri Dimal Bashën e Lëvizjes Vetëvendosje. Pas tij janë zgjedhur edhe nënkryetarët e partive shqiptare dhe ai i komunitetit joshumicë joserbe. Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u votuan në pako me shumicë votash, derisa votat e mjaftueshme i mori edhe Emilia Rexhepi nga komunitetet joshumicë.
Por procesi ka ngecur te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Lista Serbe ka insistuar vetëm në kandidatin Sllavko Simiq, por që nuk ka marrë votat e nevojshme. Pas refuzimit të Listës Serbe për të dhënë propozim tjetër është bërë hedhja në votim e kandidatëve përmes shortit, e ku dy kandidatë tjerë nga Lista Serbe, Verica Çeraniq dhe Stefan Kovaçeviq nuk morën votat e nevojshme të deputetëve. Kandidatja e tretë i tërhequr në short, Liljana Stefanoviq refuzoi të hidhej në votim. Më pas në short u tërhoq emri i deputetit Nenad Rashiq, që nuk është pjesë e Listës Serbe, por as ai nuk mori votat e mjaftueshme. Vetëm 55 deputetë votuan pro kandidaturës së tij.