Kuvendi i Kosovës sot do të vazhdojë seancën konstituive. Në rend të ditës është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.
Ndryshe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpalli aktgjykimin e plotë me të cilin ka konstatuar se Seanca Konstituive e Kuvendit të Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Në vendimin e publikuar, Gjykata thekson se Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me nenin 66 dhe nenin 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilat përcaktojnë zgjedhjen dhe mandatin e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit.
Gjykata ka urdhëruar që Seanca Konstituive të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, në përputhje me afatin kushtetues dhe me aktgjykimet e mëhershme në rastet KO193/25 dhe KO196/25.