Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Letërsi > Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe! Për herë të parë festë zyrtare në Shqipëri

Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe! Për herë të parë festë zyrtare në Shqipëri

Data 22 nëntor shënon Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dhe për herë të parë këtë vit është shpallur festë zyrtare e Shqipërisë.

Shqiptarët e quajnë nëntorin si muajin e tyre, me festat e datave 28 dhe 29 kur është shpallur pavarësia dhe çlirimi i vendit.

Mirëpo, historia e zyrtarizimit të shtetit shqiptar nis që më 22 nëntor të vitit 1908, ku Kongresi i Manastirit standardizoi alfabetin e gjuhës shqipe, që sot përkujtohet si dita e alfabetit.

Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Për shqiptarët e Maqedonisë kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

Themes by WordPress