Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > Sot 18 vite pa regjisorin Besim Sahatçiu

Sot 18 vite pa regjisorin Besim Sahatçiu

Sot janë bërë 18 vite nga ndarja e jetës së regjisorit të njohur Besim Sahatçiu. Gjyshi i Rita Orës ishte një personalitet me influencë në shoqërinë shqiptare.

Besim Sahatçiu, ishte drejtor i teatrit, filmit dhe televizionit. U lind më 2 tetor 1935, në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen, Besim Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind. Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit.

Pas ndërprerjes së studimeve, për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindje”. Më pas u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb, të cilën e përfundoi më 1972. Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Si drejtor skenik, ai punoi në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ishte një regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite.

“Era dhe lisi” ishte njëri nga super-filmat shqiptar i prodhuar nga Kosovafilmi në vitin 1979 me regji të Besim Sahatçiut. Ndërsa në rolet kryesore ishin dy nga aktorët e mirënjohur, Faruk Begolli dhe Abdurrahman Shala.

Filmi i tij “117” morri çmimin kryesor në Festivalin e Dokumentarit në Beograd në vitin 1978.

Sot, në këtë 18 vjetor e kujton edhe djali i tij Besnik Sahatçiu Ora në rrjetin e tij social, Facebook.

Ndërsa Rita Ora kësisoj ka ndjekur rrugën artistike të gjyshit të saj dhe në disa intervista edhe e ka përmendur atë si një person prej të cilit ajo ka marrë forcë dhe është inspiruar.

Regjisori, Besim Sahatçiu, vdiq në vitin 2005./ KultPlus

/TV Arbëria

Themes by WordPress