Shkruan: Rid Berisha – Sondazhi i fundit i UBO Konsallting, njëra prej kompanive të matjes së opinionit publik, shkaktoi shok te kampi opozitar.
I madh e i vogël çuan në këmbë, plasi debati me replika këto ditë, dhe u reduktua kryesisht në ballafaqimin midis figurave të LDK-së me Vetëvendosjen, e nga PDK pati reagime por ishin më pak prezente.
Nga deklaratat e krejt figurave LDK-së, emëruesi i përbashkët ishte se sondazhi u porosit nga VV për motivacion propagande, e nga PDK përsëritën qëndrimin, ejani bujrëm, shkojmë në zgjedhje me 9 qershor.
Nuk ishin të pakta talljet me opozitën në facebook, që e bënë deputetet dhe ministrat e Vetëvendosjes, postimet e tyre mund të cilësohen si sarkazëm, ironizim, lavdi për qeverisje të mirë dhe reahtllak e garanci e plotë edhe për një mandat të plotë qeverisje me kryeministrin e Kurti.
Po u mbajtën zgjedhjet këtë të diel, Vetëvendosje sipas këtij hulumtimi doli se i fiton 49%, PDK 17%, ndërsa LDK u rendit e treta gati se me 16%.
Përtej këtij habitati me një diskurs gati se të papranueshëm për një shoqëri normale demokratike, duke përjashtuar frymën populiste të kryeministri dhe mazhorancës, në rrethana krejt normale opozita duhet t’i shtojë vetës pikë së pari disa pyetje elementare.
Pse nuk kishin kauzë të përbashkët për temat e mëdha që prej katër vitesh, siç është kryetema e tavolinave politike, dialogu Kosovë-Serbi?
Pse opozita ishte e fragmentarizuar një pjesë të madhe të të kohës, ndërsa kryeministri me një kollajllek po përballej me ta megjihë kompromiset e rënda që bëri në Bruksel me planin franko-gjerman shtojcën e zbatimit të planit në Ohër, pranimin e draftit të Asociacionit, e që u pa nga kritiket legalist si autonomi politike dhe territoriale?
Pse nuk patën guxim opozita që të bëhen bashkë për të protestuar në mënyrë demokratike në rrugë për aq kohë sa vazhdimisht po e cilësojnë kryeministrin Kurti si njeri të rrezikshëm në gjithë historinë politike të Kosovës së pasluftës?
Nëse opozita po ashtu e cilëson kryeministrin Kurti se po ndjek një kurs anti-amerikan, se e futi vendin nën sanksione nga BE, nëse në planin e brendshëm insiston se kjo qeveri po shkatërron çdo gjë, është përfshirë ne afera mega-korruptive me tenderët një burimor, atëherë si është e mundur që ajo këtë rekord shqetësimesh të mos e zëvendësojnë me protesta demokratike në rrugë?
Ka edhe mjaft pyetja tjera që i shtrojnë opinionistët e që e bëjnë opozitën të duket e molisur në raport me fjalorin populistë të mazhorancës së Kurtit.
Një sukses të jashtëzakonshëm megjithatë e ka arritur opozita, rrëzimin e mjaft ligjeve në Gjykatën Kushtetuese. E kjo e hatroi aq shumë kryeministrin Kurti, kur ky e bëri një deklaratë të zakontë nga ana e tij, por të pazakonte për vendet demokratike, iu tha anëtarëve të gjykatës kushtetuese, ejani garoni në zgjedhje.
Së fundi u shtua dinamizmi opozitar edhe atë i fragmentarizuar po ashtu. Pyetja është a u vonuan? Sot opozita për temat e mëdha që lidhet me Serbinë e ka qëndrimin të mjegullt, mjaftohen me deklaratat se ajo çfarë bëri Kurti, përbën një dëm të madh për Kosovën. Haradinaj shkoi aq larg sa e akuzoi Kurtin si njeri të Rusisë dhe Serbisë.
Zgjedhje sivjet po kërkon opozita e deputetet nga mazhoranca pas publikimit të sondazhit iu përgjigjen se pritni deri më 15 shkurt 2025.
Do të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme, kjo do të varet direkt nga vullneti i kryeministrit Kurti, meqë opozita nuk i ka numrat për ta shpërbërë Kuvendin, megjithëse vet Kurti e tha para disa ditësh se po pati nevojë opozita i ndihmojnë asaj për ta çuar vendin në zgjedhje.
/TV Arbëria