Shkruan Afrim Kasolli
Partitë politike nga Kosova, krahas kërkimit të mbështetjes nga diaspora për aktivitetin e tyre brenda vendit, po ashtu janë duke i bërë thirrje diasporës se për cilat parti politike duhet të votojnë edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Këtë praktikë në masë të madhe fillimisht e kishte inauguruar kryeministri Kurti. Janë të njohura kërkesat e tij për shqiptarët që jetojnë si në SHBA, se për cilin kandidat për president duhet të votojnë, e deri edhe për parti të caktuara në shtete evropiane. Këtë veprim ai e ka arsyetuar për shkak të solidaritetit ideologjik që e ka Lëvizja Vetëvendosje me partitë e majta në demokracitë perëndimore.
Në takimin e fundit, të nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropianë, drejtuesi i Vetëvendosjes deklaroi se “vota për të parët është e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave e parimeve demokratike, të solidaritetit e të gjithë përfshirjes, të të drejtave të njeriut e sundimit të ligjit, të drejtësisë sociale e të pluralizmit politik. Këto janë të kërcënuara çdo ditë e më shumë nga rrymat e djathta radikale që tentojnë të na rikthejnë në periudhat e zymta dhe të errëta të shekullit të kaluar, por edhe nga parti të djathta që në vend se të distancohen, koketojnë me ta”.
Ndërkohë, këtë model kanë filluar ta ndjekin edhe dy partitë tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës , lidhur me zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Para pak dite, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social, u bëri thirrje bashkëvendësve tanë që jetojnë dhe veprojnë në kuadër të Bashkimit Evropian që të votojnë për Aleancën e Liberaleve dhe Demokratëve të Evropës-ALDE, sepse sipas tij, edhe PDK, është pjesë e këtij rrjeti politik. Por për më shumë, kjo mbështetje nuk është vetëm favorizim i aleatëve ideologjikë të PDK-së, por edhe garanci për interesat e Kosovës, sepse “partitë anëtare të kësaj familje politike gjithmonë kanë qenë në përkrahje të plotë të lirisë, pavarësisë, shtet-ndërtimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Në këtë frymë, pak a shumë, u shpreh edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai i bëri thirrje diasporës së Kosovës, që jeton dhe vepron, sidomos në Gjermani dhe Austri, t’i votojnë kandidatët e Partive Popullore Evropiane (PPE), me argumentin se fitorja e qendrës së djathtës në zgjedhjet evropiane do të krijojë siguri edhe për Kosovën.
Sidoqoftë, secili prej arsyetimeve që i kanë përdorur të tre liderët kryesorë politikë në thirrjen e tyre drejtuar diasporës, së për cilën grup ideologjik të partive evropiane duhet të votojnë, qëndron në shpërputhje me realitetin politik dhe rrugëtimin historik të shtet-ndërtimit të Kosovës.
E para nuk qëndron teza e Kryeministrit Kurti se vetëm partitë e djathta janë duke koketuar me të djathtën e ekstreme dhe se për shkak të këtij bashkëpunimi janë duke i rrezikuar arritjet e demokracisë. Sepse edhe ato që konsiderohen si parti të majta janë duke rrëshqitur gjithnjë e më shumë në taborin e së djathtës. Kohë më parë gazeta e njohur britanike “The Guardian” në shkrimin “Adopting rightëing policies ‘does not help centre-left ëin votes” konstatonte , se pikërisht shpresa e formacioneve të qendrës sociale demokrate për ta fituar mbështetjen në opinion ka ndikuar që këto të fundit t’i adaptojnë politikat e krahut të djathtë për tema sikur se emigracioni, ekonomia etj etj.
Po ashtu, është e paqëndrueshme edhe teza e liderëve opozitarë se Kosova mund të jetë më i sigurt dhe të ketë perspektive më të mirë evropiane, vetëm nëse vetëm fitojnë partitë e djathta. Një ngjarje madhore në historinë moderne të Kosovës e dëshmojnë të kundërtën. Në kohën kur kishte ndodhur intervenimi i NATO-së, kundër caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, shumica e qeverive në shtetet perëndimore ishin me orientim majtist. Pra identiteti i tyre ideologjik nuk u bë pengesë për t’i dalur në ndihmë Kosovës në çastet me të errëta të saj.
Por po ashtu, kur u shpall pavarësia e Kosovës, në pushtet në shumë këto vende ishin partitë me orientim të djathtë. Dhe kjo nuk i ka penguar që ta njohin shtetin e Kosovës. Fakt ky, që e demanton edhe pretendimin Albin Kurtit, se vetëm partitë me orientim të majtë mund të jenë jenë në favor të interesave shtetërore të Kosovës. E këto të fundit, mbase më shumë mund të mbrohen, sa më pak që partitë politike të Kosovës përfshihen në betejat e brendshme ideologjike në demokracitë perëndimore./TVArbëria