Para pak dite ish-ambasadori amerikan në OKB dhe ish-këshilltari i sigurisë kombëtare së Presidentit Donald Trump, John Bolton kishte deklaruar se për një kohë SHBA-të shpresonin se “Kosova dhe Serbia mund të pajtohen me një marrëveshje të pranuar për të dy palët, duke përfshirë edhe këmbimin e territoreve”. Ndërkohë, jo shumë kohë më vonë në një analizë mbi mundësitë e dialogut Prishtinë-Beograd, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, mbante një qëndrim kritik ndaj shteteve të BE-së, pse e kishin kundërshtuar në mënyrë kategorike këtë opsion.
Në anën tjetër, dialogu i drejtuar nga Brukseli me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas planit franko-gjerman thuajse është bllokuar. Detyrimi për t’i zbatuar marrëveshjet e Brukselit, paraqet një kusht të domosdoshëm për agjendën e tyre euro-atlantike. Mirëpo, thuajse asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim.
Analisti politik, Visar Xani në një prononcim për TV Arbëria, është shprehur se Kosova duhet të jetë e gatshme për çdo skenarë të mundshëm.
“Fillimisht Kosova duhet të jetë gati për çdo skenarë të mundshëm, nuk them sa i përket preferencave por sa i përket, por sa i përket zhvillimeve gjeopolitike”, është shprehur Xani.
Sa i përket dialogimit, administrata Trump ka pasur tjetër strategji, atë të agjendës së tij e cila ka qenë korrigjimi i kufijve, thotë analisit.
“E dimë që administrata Trump ka pasur strategji tjetër sa i përket dialogimit dhe është përfolur që ka pasur në agjendë të korrigjimit të kufijve”, tha ai.
Sipas tij, Kosova ka dështuar për ta shtyer procesin përpara gjatë administartës së Biden, ndërkaq analisti nuk beson që Trump do të merret me marrëveshjet e Brukselit dhe të BE-së.
“Gjithsesi ne dështuam si Kosovë për ta shfrytëzuar administratën Biden dhe për të shtyer procesin përpara. Nuk besoj që Trump do të merret shumë me marrëveshjet e Brukselit dhe të BE-së, por do të ketë propozime të tjera.”
Lidhur me aludimet për këmbimin e territoreve, kur përflitet se në Ukrainë do të ketë një gjë të tillë, e cila është anëtare e OKB-së, Xani thotë se Kosova e ka të pamundshme për të dalur kundrejtë këtyre aleancave.
“Aq më shumë kur po flitet për këmbim të territoreve jo vetëm në Kosovë por në vatra të ndryshme të krizës dhe një gjë të tillë do të thotë mund të shkaktojë probleme, dhe ne si Kosovë e kemi të pamundshme për të dalur kundrejtë këtyre aleancave, nëse pra ka ndarje të Ukrainës një shtet që është anëtarë i OKB-Së dhe ne si Kosovë që jemi në përpjekje të shtet ndërtimit”, deklaroi Xani për TV Arbëria.
Ndër tjera, sipas analistit rreziku do të jetë i lartë, por që Kosova duhet të ketë plan A dhe B, në mënyrë që të ketë përgjigje në kohë.
“Prandaj, rreziku do të jetë i lartë por duhet të kemi plane A dhe B për t’iu përgjigjur në kohë këtyre ideve dhe për të shpresuar për të marrë më të mirën të mundshme që të paktën ky korrigjim mos të dëmtojë Kosovën. Gjithsesi këto janë teori të cilat mund të kenë tendencë për tu zhvilluar por sa do të kenë sukses është një pikëpyetje e madhe dhe mbase edhe mund të sjellin pasoja por diku edhe mund të funksionojë.”
Sipas tij, Kosova do të duhej të kishte një marrëveshje e cila nuk i prek kufijtë dhe që i mundëson integrimin në BE dhe NATO, ndryshe një fuqi si administrata Trump çdo politik mund ta shtyej, sepse s’mund ta ndalojë askush.
“Por, ne si Kosovë do të duhej të paktën të kishim një marrëveshje e cila nuk i prek kufijtë dhe që i mundëson Kosovës integrim në BE dhe NATO, ndryshe skenarët tjerë me një administratë Trump që është jashtzakonisht e fuqishme që e ka senatin dhe dhomën e përfaqësuesve në dorë, pothuajse çdo politik që e ka në kokën e tij mund ta shtyej sepse është e pamundshme ta ndalojë dikush brenda SHBA ve e aq më shumë edhe jashtë SHBA ve”, përfundoi Xani për TV Arbëria.