Ilir Muharremi, profesor kritik i Artit, ka folur për skulpturat në Kosovë, ku ka thënë se pa disa vitesh kanë qenë shumë të dobëta, derisa tani sheh përmirësime në secilin qytet.
Muharremi në emisionin “Rreth e Rrotull”, ka theksuar se në Prishtinë përmendorja e Skënderbeut ka një “defekt”, pasi Skënderbeu shihet të jetë më i madh se kali i tij.
“Te ne në Kosovë para disa vitesh kanë qenë të pushtuara me skulptura mos të them të dobëta, por jo të pranueshme edhe për syrin e opinionit por edhe për kritikët e fushës. Por, kjo gjë tash është rregulluar, po e shoh edhe në qytetet e tjera e po ashtu edhe në Prishtinë. Shembull në Prishtinë, skulptura e Skënderbeut, por e ka një “defekt” ku Skënderbeu është më i madh se kali, për skulptorin nuk ka defekt, sepse shumë mirë e ka punuar këtë”, ka deklaruar ai.

Ai ka krahasuar përmendoren e Skënderbeut në Prishtinë me atë të vendosur në Krujë, ku ka thënë se është e vendosur në hapësirën shkëndore, dhe opinioni është poshtë, ndërsa, në plan të parë kanë vendosur kalin e që, sipas tij, duhet të ishte e kundërta më përmendoren në kryeqytetin e Kosovës.
“E njëjta është e vendosur edhe në Krujë, por atje është e vendosur në hapësirën shkëndore, kurse opinioni është poshtë, dhe në momentin që e vështron Skenderbeun e ke në planin e dytë në perspektiv quhet, kurse plani i parë është kali. Pra, skulptori është dashur ta rrisë Skenderbeun, që nga ajo lartësi të nivelizohet Skënderbeu dhe të duket me i vogël kali. Këtu tek ne nuk e kanë menduar mirë e kanë vendosur në terren te drejtë, atëherë skulptura nuk pranohet pasi Skënderbeu duket më i madh se kali”, ka thënë ai.
Mes të tjerash, ai ka theksuar se skulptori duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe t’i pranojë kritikat, pasi këto vërejtje janë pa hile dhe shumë e sinqertë.
“Këto vendosen në hapësira publike, dhe normal që komentohen”, ka shtuar ai.