Skënder Berisha ka ndarë një rrëfim personal për përvojën e tij me Prof. Dr. Alush Gashin, duke e cilësuar atë si një nga mësimet më të vlefshme që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrave institucionale.
Berisha ka treguar se para vitit 2007 e njihte Alush Gashin kryesisht si profesor të njohur të Anatomisë, këshilltar për media dhe bashkëpunëtor të afërt të Presidentit Ibrahim Rugova. Sipas tij, njohja e vërtetë me Profesorin erdhi pasi ai u emërua Ministër i Shëndetësisë.
Ai rrëfen se në kohën kur shërbente si Drejtor i Komunikimit në Ministrinë e Shëndetësisë, u përballën me shpifje dhe sulme mediatike ndaj institucionit. Pas një shkrimi kritik të publikuar në një gazetë me shtrirje nacionale, Berisha kishte përgatitur një reagim të ashpër ndaj akuzave.
Megjithatë, sipas tij, reagimi i Ministrit Alush Gashi ishte i menjëhershëm dhe i prerë.
“Ky nuk është reagim. Ky është helm. Ne jemi institucion dhe nuk guxojmë të prodhojmë helm. Sa jam unë ministër, nuk dua helm në komunikim”, kujton Berisha fjalët e Profesorit.
Sipas Berishës, Prof. Dr. Alush Gashi kishte insistuar që institucionet të japin vetëm sqarime objektive dhe të shmangin gjuhën e ashpër apo përçarëse.
Në fund të rrëfimit të tij, Skënder Berisha e cilëson këtë si një mësim që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës dhe që është përpjekur ta përcjellë edhe te të tjerët:
“Shkrim pa helm. Populli ynë ka vuajtur tepër, nuk ka nevojë për më shumë helm”, ka shkruar ai.
Berisha e përmbyll mesazhin e tij me një falënderim për Profesorin, duke e konsideruar këtë si një mësim për gjenerata.