Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Skenari për koalicion ndërmjet VV-së dhe PDK-së doli nga apetitet për pushtet e një pjesë të zyrtarëve të kësaj partie

Skenari për koalicion ndërmjet VV-së dhe PDK-së doli nga apetitet për pushtet e një pjesë të zyrtarëve të kësaj partie

Shkruan: Afrim Kasolli

Para pak dite kam shkruar se si pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, është i mundur edhe skenari i koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Shumëkush e ka parë me dyshim këtë mundësi dhe të pamundur. E para unë në atë shkrim asnjëherë nuk kam thënë se kush mund të jetë kryeministër i kësaj formule të bashkëqeverisjes hipotetike. Por se vetëm ka gjasa të ndodh ky opsion në ndarjen e pushtetit ndërmjet këtyre partive që në nivel qendror deri më tani nuk kanë pasur asnjëherë koalicion. Sepse në nivel lokal tashmë në disa komuna është tejkaluar ketë Rubikon. Po ashtu, ndihma e Partisë Demokratike të Kosovës, ka qenë vendimtare në zgjedhjet lokale të vitit 2013, që Lëvizja Vetëvendosje ta dëshmoi vetën edhe si parti që mund të fitojë pushtet, e jo vetëm si një grup “rebel pa kauzë.” Sepse ka qenë e pamundur që e dyta ta mund LDK atëbotë në Prishtinën pa ndihmën elektorale të së parës. Dhe është kjo fitore që i ka ndihmuar percpecionit të normalizimit të Lëvizjes Vetëvendosje si parti me potenciale qeverisëse

Në ndërkohë, shumica e zyrtarëve të kësaj partie, duke përfshirë edhe kryetarin e saj, kanë nguruar që të vizatojnë vija të kuqe ndaj këtij subjekti politik, me arsyetimin se në këtë mënyrë e ofendojnë elektoratin shqiptar të kësaj partie. Se sa qesharak ka qenë ky arsyetim e kam pasqyruar nëpërmjet shembullit të partive të qendrës në Gjermani, të cilat në vazhdimësi janë betuar për ta përjashtuar çdo bashkëpunim me partinë e ekstremit të djathtë AfD. Po ashtu kryetari Memli Krasniqi me Shefin e Grupit Parlamentar të këtij subjekti, Abelard Tahiri, me një lehtësi të padurueshme nuk i kishin rezistuar tundimit politik për drekë me kryeministrin Kurti dhe Shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Në fund të fundit, edhe nëse ka qenë i domosdoshëm ky takim ka mundur të mbahet në ambiente të Kuvendit, por jo në restarunate luksoze.

Sidoqoftë, mundësia e kësaj martese të re politike, që në shikim të parë duket e pamundshme, doli nga vetë zyrtarët Partisë Demokratike të Kosovës gjatë një debati në emisionin Rubikon. Nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili, deklaroi se do ta miratonte pa hezitim këtë skenar me kusht që ta fitonin pozitën e kryeministrit. Dhe është pikërisht kjo dëshirë për ta kërkuar pozitën e drejtimit të qeverisë edhe nëpërmjet aleancës me Vetëvendosjen që e dëshmon apetitin e disa prej zyrtarëve të kësaj partie për të fituar pozita edhe nga bashkëpunimi më një parti që formalisht e kanë definuar si rrezik për shtetin dhe antititezën e tyre politike. Një qasje kjo që e tjetërson politikën në këmbim të pozitave brenda së njëjtës hegjemoni ideologjike. Mirëpo, edhe nëse Lëvizja Vetëvendosje do të tregohej gjeneroze në këtë kompromis ajo vetëm sa do ta shndërronte kandidatin e PDK për pozitën e shefit të Qeverisë në instrument të saj politik. Kuptohet, në këtë mënyrë do të përfitonin pozita disa anëtarë të asaj që e formojnë “rrethin e ngushtë të gjimnazistëve” apo “Klanit Bon Vivant”, dhe kështu do ta plotësonin etjen e tyre për rikthim në majat e Olimpit Politik. Ashtu siç edhe kane vepruar në të kaluarën. Vetëm se tash duke i ndërruar patronët politik.

Është kjo qasje që i ngjan mendësisë politike të “Qerosit në botën e poshtme”, të cilën e ka trajtuar gjeniu ynë i letrave, tashmë i ndjerë Ismail Kadare, në veprën e tij “Ftesë në Studio”.

Me anë të këtij rrëfimi “sa të thjesht po aq madhështor” Ismail Kadare, tregon për një “qeros që në një natë rrëzohet në një vrimë dhe bie në botën e poshtme” Ai fillimisht jeton në atë botë, por me kalimin e kohës e pushton malli për t’u rikthyer përsëri lartë. Mirëpo, ky mision i duket i pamundur. Vërtitet kot andej këndej. Në fund një plak e këshillon se ç’duhet të bëjë. “Është një zhgabonjë” i thotë plaku “ që mund të të çojë atje, veçse rruga e ngjitjes është e largët dhe zhgabonja gjatë gjithë fluturimit duhet të ushqehet me mish” Qerosi pajtohet me kushtet dhe bën pakt me zhgabonjën. Fatkeqësisht fluturimi zgjat më shumë se ç’pandehej dhe mishi që e kishte rezervuar Qerosi mbaron. Kështu “Qerosi është i detyruar që të pres copa të mishit nga trupi i tij për ta ushqyer zhgabonjën, përndryshe ajo do ta lëshojë drejt skëterrës. Kjo përsëritet shume herë. Dhe kur Qerosi mbërrin në botën e sipërme mund të përfytyrohet se çka ndodhur, “ai nuk është veçse një skelet në krahët e një zhgabonje dhe njerëzit që e shikojnë këtë skelet thërrasin: shikoni një të vdekur në krahët e një shkabe”. Prandaj thotë Kadare, “është e vështirë të gjendet një strukturë më e përshtatshme për të dhënë dramën e njeriut që për t’u ngjitur nga fatkeqësia ku ka rënë është i gatshëm për gjithçka”./tvarbëria/