Mbi 100 mijë njerëz, kryesisht burra dhe djem ishin të anëtarësuar brenda një grupi në rrjetin social “Telegrami”, të emërtuar si “AlbKings”.
Ky grup përdorej me qëllim të shpërndarjes së fotove e videove me përmbajtje denigruese e intime grave e vajzave, të dhëna personale si numrat e telefonit dhe emrat e tyre.
Këto fotografi e të dhëna personale shpërndaheshin tek anëtarët e tjerë dhe secili prej tyre pastaj kishte qasje në të dhëna të ndjeshme të viktimave.
Disa nga viktimat, të cilave ju shpërndanë të dhënat e tyre personale, nuk u kursyen nga pjesëtarët e këtij grupi të cilët përmes shantazhit kërkuan favore të ndryshme prej viktimave.
Favore të këtilla nga viktimat kërkuan edhe adminët e këtij grupi “AlbKings”.
Prokuroria në aktakuzën e ngritur ndaj dy administratorëve të këtij grupi ka treguar skemën si përfitonin financiarisht.
Mesazhet në këtë grup, si fotografi, video e të dhëna pesonale që shpërndaheshin në këtë grup, mund të fshiheshin me vendimin e administratorëve, që e kishin këtë mundësi.
Fshirja e përmbajtjeve eksplicite nga adminët e grupit shoqërohej me kërkesë.
Prokuroria ka gjetur se i akuzuarit F.P., i njohur me nofkën ‘Lideri’’ ka pranuar pagesa të ndryshme nga viktimat në valuta të dollarit dhe në forma të kriptovalutave, përmes aplikacionit “PayPal”.
Prokuroria thotë se i akuzuari F.P. kishte konvertuar mbi 2,300 euro kriptovaluta në një dyqan. Përmes katër llogarive që i posedonte i njëjti.
“Lideri” sipas prokurorisë për 15 muaj kishte shpërndarë e kishte lejuar të shpërndahen përmbajtjet eksplicite të grave dhe vajzave, pasi i njëjti, sipas dosjes, kishte qenë themeluesi i grupit famëkeq.
“Lideri” në prokurori kishte deklaruar se e kishte hapur grupin për të ‘bërë famë’.
Aktakuza voluminoze e prokurorisë përmban prova e dëshmitë e viktimave të cilat ishin të prekura direkt nga funksionimi i këtij grupi.
“Lideri” kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e shtetit.
Seanca e parë gjyqësore ishte paraparë të mbahet me 30.01.2025. por që e njëjta ishte pamundësuar. Pasi në seancë nuk ishin paraqitur të akuzuarit e këtij rasti.
Sipas njoftimit të Gjykatës, në seancë nuk ishte paraqitur i akuzuari F.P. i njohur me nofkën si “Lideri”, pasi i njëjti ishte urdhëruar të vinte në seancë nga Policia, kurse i akuzuari i dytë E.N. nuk kishte ardhur në gjykatore pasi gjyqtari kishte njoftuar se nuk është pranuar flet-kthesa nga Posta e Kosovës për ftesën që i është dërguar të akuzuarit për pjesëmarrje në seancë.
“Ju njoftojmë se çështja penale me numër P.nr.15/25 është caktuar të mbahet më 30.01.2025. Gjykata ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës dëgjimore, pasi që në seancë nuk janë prezantuar i pandehuri F. P., për të cilin Gjykata më 23.01.2025 ka lëshuar Urdhëresë për sjellje të të pandehurit për seancën e datës 30.01.2025 për Policinë e Kosovës në Gjilan. Policia e Kosovës në Gjilan përmes e-malit e ka konfirmuar pranimin e Urdhëresës së Gjykatës dhe të njëjtit më 30.01.2025 përmes telefonit e kanë njoftuar Gjyqtarin e çështjes se mund të vonohen në sjelljen e të pandehurit për në seancë deri në ora 10:00, për shkak të angazhimeve operative të tyre. Gjithashtu, në këtë seancë ka munguar edhe i pandehuri E. N., për të cilin Gjykata ka përcjellë ftesë të rregullt, mirëpo deri në kohën e mbajtjes së seancës nuk ka pranuar fletëkthesën nga Posta e Kosovës, për të konstatuar nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës, më 03.02.2025.
Materialet e shpërndara në këtë grup ishin kryesisht pirate – përfshirë filmime nga marrëdhëniet seksuale apo fotografi nudo.
Publikimet e natyrës së tillë ishin normale në këtë grup, ndërsa administratorët lejuan që edhe numra të telefonëve të shpërndaheshin në këtë rrjet.
Anëtarë të grupit do të shpërndanin numrat e telefonit të vajzave me mbishkrime, se të njëjtat janë prostituta apo ofrojnë shërbime seksuale me pagesë.
Viktimat ishin nga të gjitha moshat. /Kallxo