Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Qeveria Rama i vendos fusnotën Kosovës, zv/ministri detyrohet që ta braktisë konferencën

Qeveria Rama i vendos fusnotën Kosovës, zv/ministri detyrohet që ta braktisë konferencën

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agron Doburuna, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se është larguar nga një konferencë rajonale e nivelit të lartë të mbajtur në Tiranë, për shkak të mënyrës së papranueshme të përfaqësimit të Republikës së Kosovës në atë ngjarje.

Doburuna, i cili ishte i ftuar të përfaqësonte Republikën e Kosovës, deklaroi se ishte i detyruar të largohej nga konferenca dhe të mos e nënshkruante Deklaratën e Angazhimit, për shkak të përdorimit të fusnotës me referencën “Rezoluta 1244 e OKB-së” – një formulim që ai e cilësoi si tërësisht të papranueshëm dhe në kundërshtim me atë që zakonisht përdoret nga Bashkimi Evropian.

“Mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese,” ka shkruar Doburuna.

Ai theksoi se kërkesa për ta korrigjuar këtë paraqitje u injorua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, duke cenuar frymën e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë që promovon vetë konferenca.

“Kosova është një realitet i pamohueshëm ndërkombëtar. Ne jemi të përkushtuar thellësisht për të garantuar të drejtat e fëmijëve tanë dhe për të kontribuar në paqe e stabilitet në rajon, por kjo nuk mund të bëhet duke na mohuar subjektivitetin shtetëror,” ka thënë Dobruna.