Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > S’ka perspektivë evropiane pa lekë

S’ka perspektivë evropiane pa lekë

Shkruar nga Agron Hoti:

Kur s’ke bukë për të ngrënë, s’ke reformë, s’ke as drejtësi, as sundim të ligjit e asgjë. Përderisa të kërcasin zorrët në bark nga uria, s’ka vend drejtësia. E kanë provuar shumë të tjerë para nesh.

A e keni parë BE-në dhe Shtetet e saj sa joparimore janë? S’investojnë në Shqiperi me arsyetimin se është e korruptuar, ndërsa kur këtë boshllëk e mbushin amerikanët e ndjekur nga arabët, turqit e kinezët, thonë Shqipëria e rajoni po devijojnë nga kursi evropian. E po si të mbahet kursi evropian pa lekë?!

Ndërkohë që askush më shumë se BE me Shtetet e saj s’investon më shumë në Rusi, Kinë, Indi, Turqi, Vende Arabe, Amerikë Latine, etj. Sikur BE të mos kishte investuar në shtetet e lartëpërmendura që gurgullojnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, atëherë do t’i kishim besuar për mosinvestimet e saj në Shqipëri shkaku i korrupsionit. Por, kur BE bën yrysh shpesh edhe si pa kokë pas mega-tregjeve të lartëpërmendura që janë të superkorruptuara dhe në disa raste edhe të rrezikshme si p.sh. Rusia e Kina, atëherë më s’pi ujë asnjë arsyetim për të mos investuar në Shqipëri.

Sikur BE vërtetë ta kishte të përnjëmendtë perspektivën evropiane, atëherë gjënë e parë që do të ishte dashur t’ia ofronte Shqipërisë do të kishte qenë qasja pa asnjë pengesë e Shqipërisë në mega-tregun e BE-së. Paramendoni, sikur kjo perspektivë t’i ishte ofruar Shqipërisë që pas rënies së komunizmit, Shqipëria sot do të ishte e zhvilluar ekonomikisht së paku sa Polonia, Çekia apo Spanja. Pastaj, sikur BE të kishte investuar në modernizimin e infrastrukturës së përgjithshme shqiptare dhe me investime të huaja direkte e kredira të favorshme, Shqipëria sot do të ishte në stade tërësisht tjera zhvillimore.

A ka gjë më të turpshme për BE-në, kur në njërën anë e kritikon Shqipërinë për mungesë drejtësie, rendi e ligji, ndërsa në anën tjetër i ofron refugjatë afro-aziatikë që mund t’ia rrezikojnë edhe sigurinë kombëtare?! Si paska mundësi që një vend si Shqipëria, i quajtur i korruptuar nga BE, të mund t’i strehojë në tokën e saj refugjatët afro-aziatikë, pra të përdoret si zonë frenimi para kufijve të BE-së?! Në qoftë se një BE e tërë me gjithë atë zhvillim e standarde s’na qenka në gjendje t’i strehojë refugjatët afro-aziatikë se ia rrezikuakan sigurinë e shteteve anëtare të saj, si e paska Shqipëria atëherë atë mundësi, kur në vazhdimësi kritikohet nga BE pikërisht për mungesë drejtësie, rendi e ligji?! Tash, Shqipëria ose ka ose s’ka drejtësi, rend e ligj, dyjat nuk shkojnë.

Vetëm pasi amerikanët filluan ta bëjnë Shqipërinë qendër shpërndarjeje energjie dhe arabët vërshuan me investime në Durrës, menjëherë filluan edhe evropianët të vraponin pas projekteve të mëdha siç është hekurudha Kosovë-Shqipëri, Porti i Thatë në Kosovë, Porto Romano në Shqipëri, shpimet për naftë në Berat, etj.

Në qoftë se Shqipëria po e luan rolin e stabilizatorit rajonal, shpesh duke i zgjatur dorën Serbisë më shumë sesa që e meriton dhe këtë po e bën vetëm për hir të stabilitetit rajonal të kërkuar aq shumë nga BE dhe një perspektive zhvillimore, atëherë a s’meriton më shumë vëmendje financiare nga BE e asesi poshtërim përmes kërkesës së kësaj të fundit për filtrimin e refugjatëve afro-aziatikë në tokë shqiptare?!

Powered by WordPress