Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Sjellja armiqësore e Serbisë, Konjufca Spiropalit: Kosova ka nevojë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare

Sjellja armiqësore e Serbisë, Konjufca Spiropalit: Kosova ka nevojë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se kosovarët nuk i referohen Shqipërisë si shtet fqinj, por e shohin si shtet amë, ndërsa shtoi se “Republika e Kosovës ka dalë nga Shqipëria”.

Ai këto deklarata i bëri në konferencën e përbashkët për media me homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali, e cila vizitën e parë jashtë vendit e bëri në Kosovë.

“Marrëdhëniet me Shqipërinë e shohim përtej raporteve tona ndërshtetërore. Më shumë e shohim si raport me vetveten. Shumica e kosovarëve nuk i referohen Shqipërisë si shteti fqinj. Po ta pyesni një kosovar kur niset për Shqipëri se ku po shkon nuk ma merr mendja që thotë po shkoj në një shtet fqinj, por thotë në shtetin amë. Dhe kjo natyrisht që i ka arsyet tona historike pse qytetarët tonë shprehën kështu është se ata besojnë që Republika e Kosovës ka dalë nga Shqipëria. Pra, nga ajo Shqipëri e cila nuk u bë e plotë dhe që na u mohua neve dhe për të cilën shqiptarët e Kosovës kanë luftuar me dekada, duke e krijuar me sakrificë Republikën tonë të Kosovës si përplotësim të idealit për sovranitet kombëtar”, tha Konjufca, raporton Gazeta Express.

Kryeparlamentari Konjufca tha se Shqipëria ka merita të mëdha në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës sepse pavarësia e Kosovës është përplotësim edhe i lirë edhe i pavarësisë së Shqipërisë.

Prandaj, tha Konjufca, në këtë drejtim folën edhe për mundësitë që Kosova e Shqipëria duhet të shfrytëzojnë për mbështetjen e Kosovës ndërkombëtarisht.

“Ne i diskutuam të gjitha mundësitë që duhet t’i shfrytëzojmë nga ky nivel i vetëdijes kombëtare si institucione si politikë dhe si shoqëri që t’i mbështesim vendet tona në rrugën e zhvillimit, forcimit dhe integrimit të mëtutjeshëm”.

“Kosova vazhdon të ketë nevojë për mbështetjen e Republikës së Shqipërisë e Kuvendit, veçanërisht në arenën ndërkombëtare sidomos kundrejt sjelljet armiqësore që e ka Serbia ndaj shtetit të Kosovës, ndaj pavarësisë sonë”.

Konjufca tha se e ka falënderuar Spiropalin për mbështetjen e Shqipërisë në përpjekjet e Kosovës për shtet ligjor në gjithë territorin e saj.

“Ia shpreha zonjës Spiropali po ashtu edhe falënderimin për mbështetjen nga ana e Shqipërisë për vendosmërinë për ta forcuar shtetin ligjor dhe kushtetushmërinë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përpjekje kjo e jona që po ndodh sidomos në këto ditët e fundit”.