Sipas ministrisë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 14 vatra zjarri, 11 prej të cilave janë vënë në kontroll, teksa 3 të tjera janë ende aktive.
Situata vijon të jetë e rënduar në bashkinë Delvinë, ku është aktive vatra e zjarrit sipër Manastirit dhe fshatit Kakodhiq.
Në bashkinë Gjirokastër, efektivët e Forcave të Armatosura dhe ato të emergjencave vendore kanë nisur punën prej orëve të para të mëngjesit për shuarjen e vatrave të zjarrit mbi Malin e Gjerë, ku flakët kanë një shtrirje 10-12 km dhe janë të shpërndara në 3 vatra.
Po ashtu, po punohet për shuarjen e zjarrit të rënë dje, pranë liqeneve të Lurës, në fshatin Gurë – Lurë të bashkisë Dibër, ku ndërhyrja paraqet vështirësi për shkak edhe të terrenit shumë shkëmbor.
“Falënderim për të gjithë efektivët zjarrfikës, efektivët e Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor e forcave vullnetare që po luftojnë prej disa ditësh me flakët”, shkruan Ministria e Mbrojtjes.