Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Siria ndërmjet agimit të ri dhe kaosit të mundshëm

Siria ndërmjet agimit të ri dhe kaosit të mundshëm

Shkruan: Afrim Kasolli

Thënia se “asnjë lindje e re nuk është e mundur pa dhimbje të mëdha” askujt nuk do t’i shkoni më për shtati se sa popullit të Sirisë . Pas më shumë se 50 vjet sundimi familjar, si dhe qëndrimi si person për 24 vjet në pushtet, regjimi i Bashar al-Asaad-it, u shemb brenda pak ditës. Ndonëse, rezistenca ndaj tij kishte filluar në vitin 2011, në kulmin Pranverës Arabe, e cila në fillim ishte paqësore, megjithatë, për shkak të përdorimit brutal të forcës nga ana e pushtetit kundër protestueseve, ajo degjeneroi në luftë civile, e cila rezultoi më më shumë se 500.000 viktima dhe mbi 14 milionë njerëz të zhvendosur, duke e shndërruar në njërën nga krizat me tragjike më humanitare për ndërgjegjen e njerëzimit.

Meritor për goditjen finale të këtij regjimi, pa dyshim se mbetet grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), nën drejtimin e liderit të tij ikonik, Abu Mohammed al-Jolani, i përqendruar deri më tani kryesisht në rajonin Idlibit, por duke mos përjashtuar as fraksionet e tjera, si Ushtria Kombëtare Siriane, e mbështetur nga Republika e Turqisë, Forcat Demokratike Siriane të dominuar nga kurdët, Armata e Lirë Siriane e mbështetur nga SHBA-të. Shpejtësia me të cilën u shemb pushteti i Bashar al-Asaad-it, i ka habitur të gjithë . Madje edhe ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë , Sergej Lavrov, në një intervistë për Al Jazeera, deklaroi se edhe Moska zyrtare mbetet e befasuar.

Analistë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë vënë në pah se ndër shkaqet e kësaj befasie ka të bëjë me zhvendosjen e balancave të pushtetit në Lindje të Mesme, por edhe me gjerë . E para, pikërisht dy nga shtetet më mbështetëse të regjimit të Damaskut, Rusia dhe Irani, u penalizuan nga zhvillime tjera, çfarë e pamundësuan ndihmën për të në këtë moment. Moska, për shkak të luftës në Ukrainë si dhe i dyti pasi shumë nga forcat e tij proxy në rajon, sikur Hezbollhu, u dëmtuan tej mase nga lufta me Izraelin. Po ashtu, një faktor tjetër është përmendur edhe humbja durimit të presidentit të Turqisë , Rexhep Erdogan, me refuzimin e presidentit sirian për t’i marrë në konsideratë disa nga kërkesat e të parit. Kurse, sipas burimeve të Reuters-it edhe administrata Biden, me ndërmjetësimin e Emirateve të Bashkuara Arabe, ishte pajtuar për suspendim të sanksioneve ndaj Sirisë, me kusht që Bashar al-Assad, ta distanconte veten nga Irani dhe t’i bllokonte arteriet e furnizimit me armatim për Hezbollaun.

Këto zhvillime kanë treguar se si mbijetesa e Assadit, veçanërisht që nga shpërthimi i luftës civile këtu e 13 vjet më parë , përkundër krimeve monstruoze kundër popullsisë civile, duke përdorur edhe armë kimike, por edhe rënia e tij e tanishme, në masë të madhe ka qenë pasojë e aktoreve tjerë. Madje, nuk ka krizë që ka pasur më shumë implikime ndërkombëtare, se sa lufta në Siri. Numri i madh i refugjatëve që atëbotë ia mësyn brigjeve të kontinentit evropian u shndërrua në terren pjellor për forcimin e forcave të ekstremit të djathtë , duke hapur rrugën drejt bjerrjes së autoritetit politik të partive tradicionale të demokracive perëndimore. Të gjithëve na kujtohet se si ishte trazuar edhe Shqipëri nga protesta masive, kundër skenarit të shkatërrimit të armeve kimike siriane.

Ndërkohë , sipas Natasha Hall dhe Joost Hiltermann, në shkrimin “The Day After Asaad-How the Syrian Dictator’s Stunning Fall Will Scramble the Balance of Power in the Middle East” pikërisht në këtë luftë ishte farkëtuar aleanca dhe miqësia e pa limit ndërmjet Kinës dhe Rusisë , duke votuar së bashku në Këshill të Sigurimi të OKB-së, kundër rezolutave të sponzorizura nga vendet perëndimore, si mjet për të penguar hegjemoninë amerikane. Ajo që ka pasuar në Ukrainë është vetëm pasojë e suksesit të Putinit atëbotë në Siri.

Mirëpo, nëse këto kontradikta ia mundësuan Assadit të qëndronte në pushtet, nuk do të thotë se ato kanë marrë fund me largimin e tij. Sot për sot Republika Turke ka ndikim më të madh në lidershipin e ri të Sirisë. Por interesat e saj nuk janë në harmoni me ato të gjitha grupeve kryengritëse, veçanërisht të Forcave Demokratike Siriane të dominuar nga kurdët, e të cilat ishin trajnuar dhe mbështetur nga amerikanët në luftë kundër ISIS-it. Ankaraja zyrtare e konsideron FDS-në si degë të Partisë e Punëtore të Kurdistanit dhe kërcënim për sigurinë e saj nacionale. Çfarë edhe është kundër çdo forcimi të saj. Ndërkohë, asnjë paqe e qëndrueshme nuk mund të paramendohet në Siri, pa një ndarje harmonike të pushtetit ndërmjet të të gjitha fraksioneve opozitare, por duke përjashtuar edhe çdo persekutim të pjesëtarëve të komunitet Alavit, që tradicionalisht kishin qenë baza “elektorale” e liderit sirian.

Në këtë kontekst, se a do ta njoh Siria një agim të ri apo të katandiset drejt edhe një kaosi më të madh, ku do të mund të rikthehen përsëri luftërat sektare, do të varet në mase të madhe nga një pajtim ndërkombëtar dhe i brendshëm për fatin e saj. Jo pak herë në histori një terror më i madh i ka pasuar revolucionet. /TV Arbëria

Themes by WordPress