Kina ka vazhduar me fitimin e medaljeve të arta olimpike, ku kësaj radhe Chen Yuxi dhe Quan Hongchan dolën fituese të medaljes së artë në “zhytjen e sinkronizuar” te femrat nga lartësia 10 metra në “Parisi 2024” të mërkurën.
Zhytëset kineze kishin fituar në tre kampionate botërore, ndërsa në finalen e Olimpiadës dominuan dhe kryesuan me 359.19 pikë.
“Ndiej se paraqitja jonë është në rregull”, ka thënë 17-vjeçarja Quan, e cila veçse është bërë sensacion me zhytjet pothuajse perfekte. Chen është 18-vjeçare.
Hedhja e tyre ishte në sinkron të plotë, ku në disa video nuk vërehej partnerja.
Kim Mi Rae dhe Jo Jin-mi nga Koreja e Veriut përfunduan në vendin e dytë me 315.90 pikë. Andrea Spendolini-Sirieix dhe Lois Toulson nga Britania fituan medaljen e bronztë me 304.38 pikë.
Kina deri tash është e para me medalje ari, pasi ka fituar 11 sosh në “Parisi 2024”.