Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Shëndetësi > Sindikata: Koeficienti 105 € e ka rritë dëshirën e infermierëve për të ikur jashtë vendit

Sindikata: Koeficienti 105 € e ka rritë dëshirën e infermierëve për të ikur jashtë vendit

Infermierët e angazhuar në institucionet publike shëndetësore janë të pakënaqur me vlerën e koeficientit prej 105 euro.

Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha u shpreh se përkundër këtyre pakënaqësive ende nuk kanë menduar që Ligjin për paga ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, apo të parashtrojnë kërkesë për diçka të tillë tek Avokati i Popullit.

“Kemi kërkuar që vlera e koeficientit të jetë të paktën 120 euro, edhe kjo nuk ka ndodhur, kështu që normal që ka pakënaqësi tek infermierët. Tek ne si sindikatë ende nuk kemi menduar për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese sepse jemi pjesë e Federatës, ndërsa para pak ditësh Federata ka vendosur që përmes 5 pikave iu është drejtuar Qeverisë ku asnjëra nga pikat nuk është që Federata do ta dërgojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi Berisha.

Por, koeficienti prej 105 eurosh sipas Berishës vetëm sa e ka rritur dëshirën e stafit infermieror për t’u larguar nga Kosova.

“Ka ngjallë pakënaqësi ata që kanë qenë të luhatshëm për atë se a të qëndrojnë për të punuar në Kosovë apo të shkojnë jashtë, sigurisht që i janë rritur kërkesat për të shkuar jashtë dhe një pjesë e tyre kanë thënë se ‘nga ky moment ne më nuk mund të punojmë’ dhe vlen të ceket që nuk është vetëm paga, por janë edhe kushtet e rënda, janë edhe mungesa e madhe e infermierëve ku ka reparte që një infermier kujdeset deri për 25 pacientë derisa sipas OBSH-së një infermier duhet të kujdeset për pesë pacientë… Sipas informatave që kemi ne janë rreth 2 mijë infermierë të cilët priten të largohen deri kah mesi i vitit 2024 gjë që do ta vështirësojë edhe më tutje pozitën e infermierëve dhe po ashtu do të ketë normal ofrim të shërbimeve më jocilësore për pacientët”, theksoi ai.

E infermierët ende nuk e kanë të qartë se si do t’u paguhet ndërrimi i natës, vikendet dhe ditët e festave. Për këtë çështje kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha tha se janë në pritje të publikimit të rregullores.

Lidhur me protestën dhe grevat e paralajmëruar nga kjo sindikatë për shkak të mos pagesës së ditëve të lira për festat zyrtare për stafin infermieror, Përparim Berisha tha se veprimet sindikale të parapara i kanë shtyrë dhe se janë në pritje të rregulloreve që parashohin edhe këto kompensime.

Pakënaqësi për koeficientin kanë shprehur edhe nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

Ndërsa, derimë tani nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 18 ankesa kundër Ligjit për paga në sektorin publik.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Petrit Çollaku i cili tha se Avokati i Popullit është duke i trajtuar këto ankesa dhe më pas do të del me një qëndrim.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, nga organizata Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, oda e fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës. Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje“, thuhet në përgjigjen me shkrim./TV Arbëria

Powered by WordPress