Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Sindikata e RTK-së dërgojnë letra te zyrtarët evropianë për mungesën e pagave – Paralajmërojnë grevë një-orëshe

Sindikata e RTK-së dërgojnë letra te zyrtarët evropianë për mungesën e pagave – Paralajmërojnë grevë një-orëshe

Sindikatat e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë dërguar letra zyrtarëve të lartë evropianë për t’i informuar ata mbi situatën e rënduar financiare që po kalon ky institucion. Letrat janë dërguar në adresë të kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe raportueses për Kosovën në PE, Viola von Cramon.

Sindikatat theksojnë në njoftimin e tyre se punonjësit e RTK-së vazhdojnë të mbeten pa paga, duke hyrë në muajin dhjetor, një situatë që ata e konsiderojnë si një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të punëtorëve. Sindikata njofton se paga është një e drejtë parësore, e garantuar nga ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane, dhe mungesa e saj ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre.

Në shenjë proteste, Sindikata ka njoftuar një grevë një-orëshe që do të mbahet të hënën, më 17 nëntor, në oborrin e RTK-së, nga ora 11:00. Ata ftojnë të gjithë kolegët të pezullojnë punën për një orë, si një akt simbolik për të kërkuar drejtësi dhe paga të rregullta. Sindikata kërkon masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe paralajmëron se është e gatshme të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale për të siguruar që punonjësit e RTK-së të marrin pagat që u takojnë dhe për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të shërbimit publik medial.

Kjo situatë ka shqetësuar punonjësit e RTK-së, të cilët kërkojnë mbështetje nga institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës financiare që po rrezikon stabilitetin e këtij institucioni të rëndësishëm medial.