Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka bërë të ditur se nëse deri më 14 gusht 2025 nuk realizohen pagat e punëtorëve, do të dorëzojë padinë në gjykatë ndaj të gjithë përgjegjësve institucionalë.
Në një njoftim publik, Sindikata thekson se padi do të kërkojë përgjegjësi ligjore për situatën e rëndë financiare brenda RTK-së, mos-ekzekutimin e pagave dhe shkeljen e të drejtave themelore të punonjësve. Gjithashtu, nënvizohet rreziku serioz që kjo situatë paraqet për funksionimin e transmetuesit publik në Kosovë.
“Edhe sot, më 8 gusht, pagat e punonjësve nuk janë ekzekutuar, ndërsa gjendja financiare mbetet e rënduar, duke ndikuar negativisht te stafi që përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale,” thuhet në njoftim.
Pavarësisht kësaj, punëtorët e RTK-së vazhdojnë me përkushtim të lartë profesional të mbajnë programin në funksion, duke mos lejuar ndërprerjen e shërbimeve informative për publikun.
Sindikata u bën thirrje urgjente institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa serioze për të parandaluar një krizë më të thellë dhe për të garantuar të drejtat bazike të punonjësve.
Në rast se kërkesat nuk përmbushen, Sindikata paralajmëron ndërmarrjen e formave të ndryshme të grevës dhe protestës, përfshirë grevën paralajmëruese, atë të pjesshme, grevën e përgjithshme dhe protesta publike paqësore, në përputhje me Ligjin për Grevat dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, Sindikata u bën thirrje institucioneve financiare të tregojnë mirëkuptim dhe të mbështesin punonjësit e RTK-së në përballimin e obligimeve financiare esenciale.
Në ditët në vijim, Sindikata do të njoftojë publikun për formën dhe kohën e protestës së radhës përmes kanaleve zyrtare.
Postimi plotë:
Nëse deri më 14 gusht 2025 nuk realizohen mjetet për pagat e punëtorëve, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të dorëzojë padinë në gjykatë përmes avokatit ndaj të gjithë përgjegjësve institucionalë.
Padia do të kërkojë përgjegjësi ligjore për situatën e rëndë financiare të krijuar brenda RTK-së, mos-ekzekutimin e pagave dhe cenimin e të drejtave themelore të punonjësve, si dhe për rrezikimin serioz të funksionimit të transmetuesit publik të Kosovës.
Sot, më 8 gusht, pagat e punonjësve ende nuk janë ekzekutuar. Gjendja financiare është e rënduar, si për institucionin, ashtu edhe për stafin që përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale.
Pavarësisht kësaj gjendjeje, punëtorët e RTK-së vazhdojnë ta mbajnë programin në funksion, me përkushtim të lartë profesional, duke mos lejuar ndërprerjen e informimit dhe shërbimeve për publikun.
Sindikata i bën thirrje të gjithë përgjegjësve institucionalë që të ndërmarrin masa urgjente dhe serioze, për të parandaluar një krizë të thellë në funksionimin e RTK-së dhe për të siguruar të drejtat bazike të punonjësve.
Gjithashtu, Sindikata shpreh vendosmërinë për të ndërmarrë të gjitha format e lejuara ligjore të grevës dhe protestës, duke përfshirë:
- Grevën paralajmëruese,
- Grevën e pjesshme,
- Grevën e përgjithshme,
- Protestat publike paqësore
Të gjitha këto masa do të ndërmerren në përputhje të plotë me Ligjin për Grevat dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si pjesë e mbrojtjes së të drejtave të ligjshme të punëtorëve dhe për të ruajtur dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e RTK-së.
Njëherësh, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve financiare në Kosovë që të tregojnë mirëkuptim për situatën aktuale dhe të gjejnë mënyra për të mbështetur punëtorët e RTK-së që përballen me obligime financiare esenciale.
Lidhur me formën dhe kohën e protestës së radhës, Sindikata do të informojë publikun në ditët në vijim përmes kanaleve tona zyrtare.
Me respekt,