Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Silvinjo thyen heshtjen, flet për rinovimin e kontratës më Shqipërinë

Silvinjo thyen heshtjen, flet për rinovimin e kontratës më Shqipërinë

Shqipëria për të dytën herë brenda 8 vitesh ishte mes 24 skuadrave më të mira të Evropës, duke luajtur finalet e një kampionati evropian.

Ndryshe nga 2016-ta, ekipi rikthehet i pjesshëm në Tiranë, pa u trumbetuar shumë, pa autobus të hapur dhe pa ndonjë vëmendje të veçantë si 8 vite më parë. Ndoshta atëherë ishte festë duke qenë se ishte hera e parë dhe tani jemi konkurrues, dhe nga Kombëtarja pritet më shumë.

Nëse në 2016-n De Biasi në krye të atij ekipi shijonte famën, ndërkohë Sylvinho erdhi, qëndroi dy ditë dhe nga kjo e enjte ndodhet në Porto me familjen e tij, për pushime.

Diçka nuk shkon dhe me sa duket dëshira e tij për të vazhduar tek kombëtarja kuqezi nuk është më parësore, madje me sa kuptohet e konsideron si të sigurt dhe këto ditë, deri në 9 korrik kur ka afatin e kontratës, po sheh çfarë ofertash i kanë mbërritur menaxherit të tij.

Në një kontakt me trajneri Sylvinho përgjigjet për Top Channel në një mënyrë evazive.

“Sapo kam arritur në Porto, jam me pushime me familjen. Nuk di asgjë unë, nuk kam folur akoma me stafin (menaxherin). Do i kontaktoj javën e ardhshme.”

Ishim mësuar me De Biasin apo Rejan, që në përfundim të kontratës së parë, nuk diskutonin dëshirën e rinovimit as e kishin në diskutim.

Megjithatë Sylvinho ndryshon në disa aspekte, ai është shumë i ri krahasuar me to dhe përgjithësisht puna e një trajneri kombëtareje është me kohë të pjesshme që e bëjnë relativisht trajnerë më të mëdhenj në moshë.

Nisur nga kjo Sylvinho ishte trajner pa eksperiencë dhe kjo arritje me një skuadër si e jona, domethënë e vogël, i jep më shumë vlera dhe e bën më të njohur në arenën e futbollit edhe si trajner.

Dhe ajo që bie në sy është që oferta i është bërë përpara Evropianit dhe ai nuk ka gjetur asnjë ditë të ulet për ta diskutuar, por është shmangur nën justifikimin e ndeshjeve dhe angazhimit me to.

Me pak fjalë kombëtaren tonë Sylvinho e sheh të sigurt, tashmë pret çfarë do t’i vij deri më 9 korrik, deri atëherë nëse do jetë edhe federata e gatshme ta presë në këto manovra, jo shumë të qarta.

Powered by WordPress