Shkruan : Afrim Kasolli
Dëshmia e ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin para Dhomave të Specializuara në Hagë, ka rikthyer edhe një herë në vëmendje rolin dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në momentet vendimtare historike për Kosovën. Për më tepër ajo i nxiti edhe një herë hasmëritë e vjetra politike dhe historike mbi rolin dhe kontributin e ish-shefit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaci në hierarkinë e asaj strukture. Ish-diplomati amerikan insistonte se i pari i kishte kompetencat e limituara politike dhe se vendimet ushtarake ai ishte i detyruar t’i merrte nga udhëzimet e komandantëve. Një linjë të tillë pak as a shumë e ka konfirmuar edhe ish-këshilltari ligjor i Delegacionit të Kosovës në Rambuje, Paul Willimams, sipas të cilit Hashim Thaci s’kishte autoritet ta nënshkruante marrëveshjen në fjalë pa miratim e disa “forcave të jashtme”.
Kanë mjaftuar këto dëshmi që të ringjallen edhe një herë sulmet ndaj Hashim Thacit me qëllim minimizimin e rolit të tij historik dhe politik, ku sipas tyre po vërtetohet edhe nga diplomatë ndërkombëtarë se sa i parëndësishëm ai paska qenë në kuadër të UCK-së. Mirëpo, teza të tilla e amnistojnë atë pikërisht në pikën që ishte sulmuar më së shumti si përgjegjësi kryesor për atë marrëveshje. Ishte thënë se Hashim Thaci ishte fajtori kryesor pse Kosova e humbi mundësin për t’u çliruar nga forcat vetanake. Dhe se i njëjti rrugëtimin autentik të luftës për liri e tjetërsoi në një proces të administruar ndërkombëtar. Prandaj, nëse ajo paska qenë në fund shprehje e konsensusit historik e pjesës me të madhe të komandanteve të zonave, atëherë kjo e shfajëson atë pikërisht nga mëkati origjinal.
Sidoqoftë, James Rubin e pranoi po ashtu presionin që ekzistonte mbi Hashim Thacin. Ngase amerikanët atij ia kishin bërë të qartë se nëse nuk pajtohen më marrëveshjen e Rambujes do ta humbin përkrahjen amerikane. Prandaj ai ishte ndërmjet dy forcave antagoniste historike. Njëra e mishëruar me figurën e Adem Demacit, por edhe të tjerëve, që e tërhiqnin mbrapa në kohë dhe tjetra mbështetja amerikane që shtynte përpara. Në fund, ai u përcaktua për të dytën , duke e “tradhtuar” të parën. Dhe nga ky përcaktim dihet se çka ndodhi. Fillimisht intervenimi i NATOS-së kundër caqeve ushtarake dhe paramilitare serbe që rezultoi me çlirimin e Kosovës dhe ndërkohë fitimi i shtetësisë.
Natyrisht, as Hahsim Thaci me shokë nuk u treguan solidar deri në fund me James Rubinin. Para pak dite me anë të një postimi kam ngritur pandehmen “Si do te ishte politika në Kosove sikur të ishin dëgjuar deri në fund këshillat e James Rubin? Këtu është fjala për rekomandimin e tij të artikuluar në vitin 2013, kur kishte pohuar se “krahu i luftës duhet ta kuptojë se është mirë që të largohen nga pushteti sa janë ende popullorë dhe të mos presin derisa të bëhet vonë” . Gjatë një vizite në Prishtine, në një prononcim për gazetën Zëri, James Rubin, ishte shprehur se “njerëzit, të cilët kanë qenë aq të rëndësishëm për revolucionin tuaj, për lirinë tuaj, e kanë mençurinë të largohen sa janë në majë të suksesit të tyre”. Është e natyrshme se në histori nuk ekziston hapësirë për spekulimet hipotetike “nëse”(if). Sepse ajo që ka ndodhur ka karakter ireversibil. Vargonjtë e saj janë të pamëshirshëm. Megjithatë, është e pamundur të shmangen pyetje të natyrës, se cfare rrjedhe do te kishte politika ne Kosove sikur të ishin dëgjuar deri në fund këshillat politike të James Rubin?
Gjithsesi, para kësaj pyetje nuk mund të shmanget një tjetër më kapitale, se çka do të kishte ndodhur me fatin kolektiv të shqiptarëve të Kosovës sikur të mos ishte dëgjuar fare James Rubin? Pasojat e këtij refuzimi nuk është vështirë të imagjinohen.
Në këtë kontekst, si duket historia e Kosovës për më shumë se dy dekada kaloi nga dy refuzime madhore të këshillave të James Rubinit. Të parët që e refuzuan në vitin 1999, kur ishte në sprove ekzistenca e një kombi. Dhe herën e dytë ata që e dëgjuan herën e parë, por refuzuan kur ishin në kulmin e fuqisë politike, duke shtruar mbase kështu rrugën që të përfitonin politikisht ata që e shpërfillen herën e parë James Rubinin. I tillë ishte rrugëtimi historik i Kosovës. Ata që korrën suksese historike për shtetin e Kosovës nga bashkëpunimi me James Rubinin, në fund humben politikisht nga shpërfillja e këshillave të tij, kurse ata që pësuan disfatë historike nga shpërfillja fillestare përfituan politikisht .
Mbase kjo është edhe njëra nga arsyet e paradokseve që po kalon sot shoqëria jonë. Sepse kemi një politikë pa peshë historike dhe një histori të lapidare me një ndikimi të reduktuar politike. /TV Arbëria