Shkruan: Afrim Kasolli
Kryeministri Kurti gjatë seancës së sotme, duke folur për dështimin e kësaj qeverie në sigurimin e njohjeve të reja, ka deklaruar se “ky nuk ka qenë premtim i tij elektoral dhe zgjedhor”, prandaj edhe është e padrejtë që të mbahet përgjegjës për këtë fakt.
Personalisht, kam pritur që i pari i Qeverisë së Kosovës, do të sajonte lloj-lloj interpretimi dhe justifikimi tjetër për këtë ngecje diplomatike dhe shtetërore. Por, jo që do të kërkojë që të pezullohet kritika ndaj tij, me motivin se ky synim strategjik nuk ka qenë zotim i tij.
Bie fjala, ka mundur të mbrohet me rrethanat e reja ndërkombëtare që janë krijuar në ndërkohë, pas luftës në Ukrainë. Ashtu, siç është shfajësuar për inflacionin. Sepse as këtë të fundit nuk e ka pasur premtim elektoral. Mirëpo, në kohën e qeverisjes së tij, ky fenomen ekonomik, ka njohur rritjen më të madhe, duke shkuar në 12 për qind, veçanërisht në vitin 2022. As nuk ka premtuar rritje enorme të çmimeve, ku një litër vaji kishte arritur gati shifrën 4 euro. Përkundrazi. Sidoqoftë, duke qene se ndodhi e kundërta e zotimeve elektorale atëherë lufta në Ukrainë u përdor si vis major.
Kështu, edhe në këtë rast ka mundur fare lehtë ta ndjek të njëjtën logjikë. Të kërkojë mirëkuptim dhe konsensus për këtë fakt sepse është e qartë që edhe në rrafshin ndërkombëtar, po ajo luftë i ka zhvendosur prioritet e shteteve të Perëndimit. Dhe nuk ka dyshim se këto të fundit në masë të madhe kanë qenë të fokusuara në menaxhimin e pasojave të saj. E kuptueshme që fati ndërkombëtar i Kosovës në këto rrethana nuk do ta gëzonte të njëjtën vëmendje. Interes primar i Perëndimit në këtë fazë ka qenë vetëm si të pengohet shpërthimi i konflikteve të reja në vatrat tjera të nxehta gjeopolitike.
Mirëpo, pretendimi për t’u shfajësuar në këtë rast për shkak se nuk ka qene kjo teme elektorale është non-sens logjik. E para kjo as që ka nevojë te jetë e tillë. Sepse sigurimi i njohjeve të reja është detyrim shtetëror. Ngase me të lidhet edhe përmbyllja ndërkombëtare e shtetësisë. Natyrisht, për shkak të pengesave në Këshill të Sigurimit as kjo nuk do të mjaftonte. Megjithatë, pranimi i shtetit nga pese vendet mos-njohëse evropianë, të paktën do ta debllokonte rrugën e integrimit në BE dhe nën NATO. Struktura këto më të rëndësime për Kosovën se sa vetë OKB-ja. E kuptueshme as realizmi i këtyre objektivave nuk është detyre e lehtë. Sepse edhe në këtë rast ajo varet nga shumë faktorë tjerë, e jo vetëm nga vullneti i shtetit të Kosovës.
Por nëse kryeministri Kurti nuk e ka premtuar jetësimin e këtij synimi, megjithatë ai nuk mundë të zhvishet nga përgjegjësia se nuk e ka vështirësuar atë. Sepse për herë të parë prej se Kosova është shtet përfaqësuesit kryesorë të SHBA-ve kanë deklaruar se Uashingtoni e ka humbur vullnetin diplomatik për të lobuar për shtetin e Kosovës. E tash si do të sillen ato shtete që kanë mëdyshje dhe janë në dilema kur e dëgjojnë këtë zhgënjim nga mbështetësi kryesor ndërkombëtar i Kosovës. Atëherë, ato edhe më pak kanë interes për ta njohur atë. Ka qenë e ditur prej fillimit se pa këtë mbështetje as që ka mundur të imagjinohet ndonjë sukses në këtë drejtim. Prandaj, ky është njëri nga dështimet kapitale të qeverisjes Kurti. /TV Arbëria