Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si u thellua pabarazia sociale dhe ekonomike në Kosovë gjatë këtij mandati qeveritar?

Si u thellua pabarazia sociale dhe ekonomike në Kosovë gjatë këtij mandati qeveritar?

Shkruan: Afrim Kasolli

Partia në pushtet sa ishte në opozitë ndër vite kishte mbrojtur një retorikë egalitare ekonomike. Ajo premtonte se më t’u ngjitur në majat e Olimpit Politik, me një shkop magjik do t’u jepte fund padrejtësive të shtresëzuara në Kosovën e pas luftës. Se do t’i korrigjonte konturat e përgjithshme të rendit shoqëror, që nga privatizimi i egër e deri te bazat e modelit neoliberal, qe sipas saj, ishin shkaktarë që të varfrit të bëheshin edhe më të varfër, e të pasurit edhe të më pasur. E tëra kjo sepse këta fundit i kontrollonin superstrukturat politike dhe në këtë mënyrë e mirëmbanin atë infrastrukturë që u shërbente vetëm interesave të tyre dominuese dhe partikulare. Shtegdaljen nga ky rreth vicioz e ofronte alternativa qeverisëse e këtij subjekti politik. Ajo e kishte aurelon e një Bible apo Kurani, dhe ndjekja me fanatizëm ideologjik e saj e hapte rrugën e instalimit edhe të shtetit social.

Mirëpo, nëse analizohen disa nga tendencat kryesore ekonomike që kanë dominuar gjatë këtij mandati qeverisës shihet qartë se ka dominuar një realitet i kundërt me parajsën e projektuar. Dhe këtu nuk e kam fjalën për thellimin e deficitit tregtar apo dështime tjera, ndonëse edhe këta faktorë strukturorë kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes sociale, por mbi dy tendenca të kundërta ekonomike që kanë ardhur duke u agravuar gjatë këtij mandati. Dhe që po ashtu, dëshmojnë se sa i paefektshëm ka qenë njëri nga instrumentet kryesore të këtij pushteti, sikur ai i masave të subvencionimit qeveritar. Për më tepër skandalet e fundit treguan se ai kishte degjeneruar në mjet për pasurim familjar.

Kështu, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, nuk mund të mohohet fakti se gjatë këtij mandati janë shtuar depozita financiare të qytetarëve të Kosovës në bankat komerciale në vend. Më këtë rast deri në korrik të vitit 2024 ato kanë arritur vlerën prej 6.26 miliardë eurove duke shënuar rritje prej 120.79 milionë euro ose 1.97% krahasuar më muajin paraprak.

I menjëhershëm ndaj këtij lajmi kishte qenë reagimi i ministrit të Financave Hekuran Murati. Ky fakt për të mjaftonte si dëshmi se familjet në Kosovë u pasuruan nën Qeverisjen Kurti, sepse tashmë i kanë 1.51 miliardë euro më shumë në banka. Pra tashmë jo vetëm bizneset por edhe familjet e zakonshme janë bërë më të kamura. Por siç thotë një fjalë e urtë se “djalli qëndron në detaje” edhe operimi me gjysmë të vërteta nga ky zyrtar qeveritar u bë me qëllim që të maskohet një mashtrim i madh. Ndërkohë, sipas BQK-së, sa i përket “shteteve të rajonit, Mali i Zi prin për rritje të depozitave me 24.4 për qind, pasuar nga Kosova me 13.3 për qind. Pastaj vjen Serbia me 7.0 për qind dhe Shqipëria me 5.9 për qind. Mirëpo, sipas shumë ekonomistëve kjo prirje duhet të jetë sinjal për alarm e jo për mburrje, sepse flet të një klimë të pafavorshme për investime në treg.

Sidoqoftë, fakti se gjendja e familjeve të zakonshme në Kosovë ka ardhur duke u përkeqësuar, pikërisht deri sa janë shtuar depozitat e grupeve të caktuara, dëshmohet me disa të dhëna tjera të të njëjtit institucion. Sipas BQK-së, mbitërheqjet bankare (overdraft) të qytetarëve e bizneseve në Kosovë gjatë vitit 2024 kanë arritur nivelin më të lartë të këtij lloj borxhi që nga pas lufta. Në një prononcim për KosovaPress, nga Banka Qendrore kanë deklaruar se nga janari deri në muajin tetor të vitit 2024, vlera e mbitërheqjeve (overdrafteve) ka arritur shumën mbi 527 milionë euro. Dhe kjo formë e huazimit financiar është shtuar në mënyrë të vazhdueshme përgjatë këtyre katër viteve të qeverisej së Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurse, sipas të dhënave që ne fund të vitit 2023 i kishte bërë publike Instituti GAP “gjendja e mbitërheqjeve nga bizneset dhe ekonomitë familjare në fund të dhjetorit 2023 ishte rreth 472 milionë euro, apo për 57 milionë euro (13.7%) më e lartë se në dhjetor 2022. Veçmas pas vitit 2020, vërehet një rritje e ndjeshme e kësaj kategorie”. Po ashtu, një fat i tillë i ka edhe kreditë konsumuese. Me këtë rast, në vitin 2023, shuma totale e kredive konsumuese është rritur për 114 milionë euro apo rreth 23% krahasuar me vitin 2022, dhe norma (mesatare) efektive e interesit për kreditë konsumuese është rritur për 0.1 pikë përqindje (p.p) krahasuar me vitin 2022” . Pra, një dëshmi kjo qartë e zhytjes gjithnjë me të madhe në borxhe të shumë familjeve në Kosovë vetëm me qëllim të mbijetesës.

Ndërkohë, përpos shtimit të borxheve, po ashtu raporti i vitit 2023 i Programit të Kombeve të të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Analizën e Pulsit Publik: “Shqyrtimi i dinamikës së varfërisë së amvisërive përballë inflacionit”, pat konstatuar se për dy vite ishte thelluar edhe varfëria në Kosovë. Pra në bazë të këtij raporti 26,610 qytetarë ishin varfëruar apo nga 14 për qind në 16 për qind.

Përfundimisht, të dhëna të tilla flasin hapur se si ka ardhur duke u thelluar pabarazia dhe varfëria në një kohë kur janë shtuar depozitat financiare të grupeve të caktuara në bankat komerciale. Këto të fundit nuk duhet të merren si simptoma të pasurimit të përgjithshëm shoqëror. Bie fjala, sipas asaj që ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsioni, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka të depozituara 190 mijë euro para të gatshme në një bankë, ndërsa në një tjetër, 5,186 euro” Natyrisht, kjo nuk është e vetme. Mirëpo, fati i saj dhe i një kaste politike dhe financiare(këtu nuk duhet përjashtuar as opozitarët) në njërën anë dhe i zhytjes në borxhe të shumë qytetarëve të Kosovës në anën tjetër, nëpërmjet mekanizmit të mbitërheqjes financiare me qëllim të mbijetesës për të përballuar presionet e inflacionit, çmimet astronomike nga pagat e ulëta, flasin për thellimin e pabarazive sociale dhe ekonomike gjatë këtij mandati qeveritar të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. E ku padyshim ndër përfitueset e vetme të këtij realiteti mbesin institucionet financiare.

Për më shumë kjo gjendje tregon se si partia në pushtet në vend të transformimit e çmontimit të atij rendi që dikur e satanizonte tashmë është adaptuar dhe përshtatur me atë që njihet si logjika e debtokracisë. Model ky, qe i detyron qytetarët e zakonshëm të zhyten sa më shumë në borxhe me kamata të pafavorshme me qëllim për t’i trysur, disiplinuar dhe nënshtruar politikisht./tvarbëria/