Shkruan: Afrim Kasolli
Me një bllokim të paprecedent, dje Kuvendi i Kosovës, dështoi të konstituohet. Që nga përfundimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, por edhe duke marr parasysh atmosferën elektorale, u bë e qartë se krijimi i institucioneve të dalaura nga këto zgjedhje, nuk do të ishte një detyrë e lehte. E tëra kjo sepse i mungonte fitimtari absolut.
Në rrethana normale politike edhe kjo nuk do të ishte problem, mirëpo duke marr parasysh atmosferën që dominon në skenën politike të vendit, bashkëqeverisja si ndërmjet partisë fituese të zgjedhjeve me subjektet tjera opozitare, por edhe këtyre të fundit ndërmjet vete po bëhej një mision i pamundur. Me këtë rast ishin paraparë skenarë të ndryshëm se bllokada institucionale do të ishte fat i pashmangshëm. Madje, ditën që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e bëri certifikimin e rezultatit zgjedhor, pata shkruar se ky akt nuk do të shënojë asgjë tjetër, pos certifikimin e një krize vicioze politike. Sepse shihej qartë se Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte numrat e mjaftueshëm për ta tejkaluar pragun prej 61 deputeteve për t’i hapur rrugë si konstituimit të Kuvendit, ashtu edhe votimit të Qeverisë. Ishte thënë se për t’i dhënë kohë vetes nuk përjashtohej mundësia që duke e shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese, partia fituese e zgjedhjeve të mos nominonite asnjë kandidat për një kohë deri sa ishte e bindur se i ka siguruar votat e mjaftueshme të deputeteve.
Por edhe sikur kjo e fundit ta bënte një gjë të tillë, PDK dhe LDK u zotuan se nuk do t’ia japin votat për krye parlamentar. AAK ishte kundër kësaj zvarritje, por në fund lideri i saj deklaroi se do të veprojë në sinkron me dy subjektet tjera opozitare. Skenar ky që do t’i konvenonte Albin Kurtit, sepse në këtë mënyrë nuk do t’i nënshtrohej presionit të afateve rrjedhëse kushtetuese. Mirëpo, para se të vijmë të ky çast PDK-ja, LDK dhe AAK se bashku më partitë minoritare nuk e votuan dje raportin e Komisionit për verifikimin e mandatave. Ky refuzim u bë më arsyetimin se kabineti qeveritar në krye me kryeministrin Kurti nuk kishte dhënë dorëheqje sipas detyrimeve ligjore dhe kushtetuese që ia ndalon deputeteve në të njëjtën kohë të mbajnë edhe pozita ekzekutive. Prandaj duke e votuar pro këtij të fundit do të bënin shkelje kushtetuese. Kurse zyrtarët qeveritarë janë mjaftuar me publikimin e një letre ku pretendojë se kanë dhënë dorëheqje. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka informuar bashkëpartiakun e tij Glauk Konjufca. Megjithatë, shumëkush këtë përkushtim juridik të tri partive të sipër përmendura e ka qujtuar si gabim politik.
Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani në një intervistë për mediumin Evropa e Lirë, ka pohuar se në aspektin formal “opozita ka të drejtë. Por, mendoj se opozita ka gabuar politikisht, për një arsye, sepse është dashur të lejojnë të japë betimin (Kurti) dhe më pas ai nuk do të mundte në asnjë rrethanë (të ushtronte funksionin e kryeministrit), sepse do të përfundonte në Gjykatë Kushtetuese”. Ndërkohë, shihet qartë se përpos pretendimeve juridike, opozita pak pas dështimit të këtij votimi nuk ka la pa përmendur edhe argumente politike. Të gjithë njëzëri, ndonëse në forma të ndryshme, deklaruan se u vërtetua se partia fituese nuk i ka 61 vota të mjaftueshme për të proceduar më tutje konsolidim të institucioneve. Ajo sipas tyre nuk mund ta miratojë një raport teknik e lërë më ta drejtojë vendin.
Pra shihet qartë se motivi i tyre ka qenë edhe ekspozimi publik i dobësisë politike të pushtetit. Mirëpo, opozita edhe në këtë rast, sic e thanë shuam analistë i ka bërë një shërbim politik pushtetit. Sepse përsëri i ka dhënë hapësirë për të mos iu nënshtruar afateve rrjedhëse kushtetuese. Me këtë veprim dje partitë opozitare treguan se janë përkujdesur për të dy gjëra. E para ta mbrojnë Albin Kurtin nga shkeljet eventuale kushtetuese.
Dhe e dyta e kanë bindur vetën se vetëm ai duhet ta drejtojë Qeverinë, ngase ato nuk janë të gatshme për këtë mision, prandaj do t’i japin kohë të mjaftueshme deri sa t’i kalojë pengesat procedurale.
Por mbetet të shihet a është Albin Kurti i interesuar që të qeverisë në bazë të këtij konfiguracioni politik. Apo do ta kërkojë fatin edhe njëherë nëpërmjet zgjedhjeve të reja të parakohshme.