Përgatiti: Afrim Kasolli
Nuk ka vepër që e ka formësuar me shumw imagjinatën e civilizimit perëndimor se sa kthimi i Odisut për në të shtëpi pas përfundimit të luftës së Trojës. Për Max Horkheimerin dhe Theodro Adornon në këtë personazh të botës homerike shënohet për herë të parë lindja e Unit njerëzor. Pra aftësisë së njeriut për t’i rezistuar joshjeve dhe shtytjeve të brendshme. Kurse, për shkrimtarin e njohur, Milan Kundera, me këtë vepër shënjohet përvoja e nostalgjisë, si dhimbje për kthimin e pamundur. Sepse edhe pse Odiseu ia arrin që kthehet fizikisht në Itakë, megjithatë as qyteti dhe as ai personalisht nuk ishin më ata që kanë qenë.
Kjo dramë me shumë kuptime së fundi është ekranizuar nga regjisori Christopher Nolan. Dhe si e tille ajo nuk është vetëm një rrëfim i thjeshtë heroizmi, sepse në masë të madhe historia e tij formësohet nga strategjitë, dredhitë, joshjet e grave, nimfave, magjistareve dhe perëndeshave që ai takon gjatë udhëtimit, shkruan BBC.
Daisy Dunn në shkrimin “A story of sex, strategy and power’: How women shape the plot of Homer’s Odyssey” shkruan se historia e Odiseut karakterizohet nga një mbizotërim i grave. Përpjekja e heroit për t’u kthyer dhe për të rimarrë mbretërinë e tij formësohet në çdo hap nga strategjitë dhe joshjet e grave, nimfave dhe perëndeshave që ai takon gjatë udhëtimit. Prandaj “Odiseja nuk është një rrëfim i thjeshtë heroizmi, por një histori për seksin, strategjinë dhe pushtetin, e cila vazhdon të ketë jehonë edhe sot”.
Me këtë rast vlen të përmendet raporti i tij me nimfën Kalipso – në fillim të poemës ata kanë jetuar së bashku për shtatë vjet. Por Odiseu nuk është aq rob i Kalipsos, sa është rob i vetvetes. Siç ia pranon vetë Odiseu nimfës, bashkëshortja e tij Penelopa nuk mund të krahasohet me të për nga bukuria, sepse ajo është thjesht një vdekatare. Mirëpo e vërteta është se bashkëshortja e Odiseut, Penelopa, ka qenë gjithçka tjetër veçse pasive gjatë mungesës së gjatë të burrit të saj. Ajo u ka bërë ballë me guxim dhe zgjuarsi përpjekjeve të 108 pretendentëve, të cilët janë vendosur në pallat me dëshirën për t’u martuar me të dhe për t’u bërë sundimtar të Itakës.
Ndërkohë, vazhdon shkrimi ne fjalë, është domethënëse që mbështetësja kryesore e Odiseut i vjen nga përendesha Athinë. Kjo e fundit është e njohur për zgjuarsinë dhe strategjinë e saj, e ndihmoi atë në Trojë dhe e nxit të marr nismën për kthimin e tij në atdhe. Më pas, kur Odiseu del në bregun e tokës së feakasve në një gjendje të pambrojtur, ajo organizon me zgjuarsi shpëtimin e tij, fsheh dobësinë e tij dhe ia përmirëson pamjen, në mënyrë që ai të duket hyjnor dhe i denjë për mikpritjen e tyre legjendare. Kjo e ndihmon Odiseun të fitojë besimin e feakasve, popull detar, të cilët më pas i ofrojnë strehim, pasuri dhe një udhëtim të sigurt drejt Itakës.
Një rol të rëndësishëm në këtë rrëfim epik e zënë edhe sirenat. Ato “paraqiten si gra me tipare zogjsh ose si sirena deti, por Odiseu përqendrohet te përshkrimi i këngës së tyre, e cila kishte fuqinë t’i joshte burrat drejt vdekjes. Dhe para tyre shtrihet një livadh i mbuluar me eshtrat e shumë burrave që në të kaluarën ishin ndalur për të dëgjuar këngën e tyre. Odiseu është i gatshëm ta marrë këtë rrezik: ai u urdhëron shokëve ta lidhin pas direkut të anijes, në mënyrë që të mos mund të hidhej në det duke ndjekur muzikën magjepsëse.
Circea ishte një tjetër bukuri e rrezikshme. Po ashtu, si Sirenat, pas pamjes së saj të ëmbël fshiheshin fuqi magjike. Mesazhi i kësaj aventure është i qartë, “ se përbindëshat femra dhe nimfat joshëse nuk mund të shpërfillen thjesht. Për të triumfuar, Odiseu duhet t’u dorëzohet atyre deri në njëfarë mase – por jo përtej kufirit. Njerëzit që ai takon gjatë udhëtimit e vënë vazhdimisht në provë vendosmërinë e tij dhe aftësinë për të ruajtur masën, një virtyt që grekët e lashtë e çmonin dhe e synonin shumë.
Është kjo ndërthurje e çuditshme që e bënë Odisenë sa dinak, krijues dhe të cenueshëm. Por siç përfundon autori i sipër cekur ai mbetet, në fund të fundit, heroi më njerëzor i botës së Greqisë së lashtë. Prirja e tij për t’iu dorëzuar joshjeve të grave – dhe të botëve madhështore, si ajo e feakasve – është njëkohësisht burimi i forcës së tij dhe shkaku i rrënimit të tij. Nuk është çudi që figura e tij vazhdon të na flasë edhe sot.
(Burimi BBC)