Kur është i freskët, patëllxhani është një perime që s’ka të sharë, si në shije ashtu edhe në vlera ushqimore.
Problemi i vetëm me këtë perime është se është i brishtë dhe i duhen pak ditë që të bëhet i athët.
Për pasojë, ngrirja duket alternative e vetme për të ruajtur këtë perime në mënyrë të shëndetshme.
Patëllxhanët në Shqipëri gatuhen në shumë mënyra nga tavat e mbushura, turshi e fërgesa.
Si Të Ruani Patëllxhanin Në Ngrirje
AgroWeb.org rekomandon se sekreti i ruajtjes afatgjatë të patëllxhanit është që të gjeni perimet më të freskëta të mundshme.
Patëllxhanët mundësisht duhen mbledhur përpara se farat të piqen plotësisht.
Zgjidhni gjithmonë patëllxhanë që kanë një ngjyrë uniforme.
Lajini dhe qërojini ato. Më pas prijini në feta mesatare.
Merrni një tenxhere të madhe qelqi dhe mbusheni me të paktën 3 litra ujë.
Hidhni gjysëm gote me lëng limoni dhe vendoseni tenxheren në zjarr.
Pasi të ketë zier uji, hidhni fetat e patëllxhanit dhe ziejini për 4 minuta.
Hidhini fetat e patëllxhanit në një kullesë dhe pas ftohjes në temperaturë ambienti, futini në qeset e ngrirjes duke hequr sa më shumë ajër prej tyre që të jetë e mundur.
Një tjetër mënyrë e preferuar për ruajtjen afatgjatë të patëllxhanëve është gatimi i tyre përpara ngrirjes.
Gatimi më i favorshëm është ai në zgarë ose pjekja në furrë.
Pas pjekjes i fusni në qeset e ngrirjes dhe më pas në frigorifer.
Metoda e Dytë
Kini parasysh që patëllxhani nis të nxihet 30 minuta pas prerjes ndaj nëse koha ua lejon mund të përdorni edhe metodën e mëposhtme.
Prijeni patëllxhanët në feta dhe ziejeni në ujë me limon në tenxhere.
Pasi t’i keni kulluar ato mund t’i lyeni në çdo anë me thërrime buke që më pas kur të jeni gati për t’i përdorur, gatimi të jetë më i plotë.
Pas ftohjes në ambjent, futini në qeset e ngrirjes dhe më pas në frigorifer.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, për të shfrytëzuar plotësisht mirësinë e patëllxhanit ju mund ta mbani atë në ngrirje për 9 deri në 14 muaj.
Ndonjëherë patëllxhanët bëhen të qullët pas shkrirjes, por disa prej tyre kanë aftësinë të jenë më rezistentë.
Edhe nëse janë të qullët, patëllxhanët funksionojnë shumë mirë në gatime të ndryshme si supa, salca ose gjella të ndryshme./AgroWeb.org