“Prishtina llogariti gabimisht – as koktejet e molotovit nuk do t’i trembin serbët”, “Çfarë u sjellin zgjedhjet serbëve në Kosovë dhe Metohi: Nga Adem Jashari dhe Hashim Thaçi te Kurti e mbrapa”…
Këta janë disa nga dhjetëra titujt në mediat shtetërore ruse të mbështetura nga Kremlini, RT Ballkan dhe Sputnik Serbia, të cilët janë publikuar gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë, nga 11 janari deri më 9 shkurt.
Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve theksoi në raportin e tij se këto dy medie kanë publikuar rreth 60 artikuj për zgjedhjet në Kosovë, që nga fillimi i janarit, dhe se disa prej tyre kanë pasur një narrativ manipulimi kundër komunitetit serb.
Raporti nuk veçoi ndonjë tekst me “përmbajtje manipuluese”, por Radio Evropa e Lirë i analizoi disa prej tyre.
Theksi vihet kryesisht te Lista Serbe si “mbrojtëse” e interesave serbe në Kosovë, ndërsa autoritetet kosovare dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, lidhen me “persekutimin” e serbëve apo “sulmet” ndaj tyre – ndonëse pa asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tilla.
Ivana Stradner, bashkëpunëtore në Fondacionin joqeveritar për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia ka një histori të gjatë të “operacioneve informative për të ndërhyrë në zgjedhje, për të mbështetur një kandidat të caktuar, për të polarizuar shoqërinë ose për të zvogëluar rëndësinë e demokracisë”.
“Në Ballkan, Rusisë i duhet kaos, në mënyrë që ta përdorë atë në negociatat me Perëndimin, në të cilat [presidenti rus, Vladimir] Putin do të pozicionohej si ndërmjetës dhe do t’i thoshte Perëndimit se, nëse nuk dëshiron që të përshkallëzohet kaosi, ai duhet të negociojë me të. Pra, do ta përdorte si mjet pazaresh”, thotë Stradner.
Ajo shton se Moska “nuk ka nevojë të dërgojë tanke dhe avionë” për të destabilizuar rajonin, por se janë të mjaftueshme “operacionet informative dhe sabotimet”.
Radio Evropa e Lirë i kërkoi Qeverisë së Kosovës komente në lidhje me vlerësimet e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve se RT Ballkan dhe Sputnik Serbia kanë publikuar dhjetëra tekste me përmbajtje manipuluese kundër komunitetit serb, gjatë fushatës parazgjedhore, dhe e pyeti se çfarë është bërë për të parandaluar ndikimin e këtyre mediave, por nuk mori asnjë përgjigje.
Si bëhet manipulimi?
Shkrimi i titulluar “Prishtina llogariti gabimisht – as koktejet e molotovit nuk do t’i trembin serbët”, i publikuar më 28 janar në ueb-faqen Sputnik Serbia, aludon se autoritetet e Kosovës donin “t’i frikësonin” serbët në Kosovë me kokteje molotovi.
Ky narrativ nis që nga fjalia e parë:
“Nuk duhet të çuditemi nëse në Kosovë dhe Metohi vazhdojnë incidentet, me të cilat Prishtina do të tentojë t’i frikësojë serbët dhe Listën Serbe përpara zgjedhjeve të shkurtit, por le të kujtojë se serbët janë popull sfidues”.