Të hënën e 2 marsit të vitit 1998, gazeta amerikane New York Times, mes artikujve të tjerë kishte edhe një me titull: Shqiptarët etnikë rebelohen kundër serbëve.
Artikulli publikohej vetëm pak ditë pas Masakrës së Likoshanit e Qirezit, ku me 28 shkurt u vranë rreth 30 civilë shqiptarë.
Teksti fillonte me përshkrimin e disa pjesëtarëve të UÇK-së që gazetari amerikan Chris Hedges i kishte hasur në Malet e Çiçavicës. Ishte hera e parë, që UÇK-ja kishte lejuar një gazetar ndërkombëtarë t’i përcillte ata deri thellë në male.
“Rebelët, të veshur me uniforma kamuflazhi, pushkë sulmi AK-47 dhe jelekë të mbushur me municion, flisnin fare pak teksa lëviznin përmes fshatrave në errësirë. Çizmet u linin gjurmë në dëborë dhe lloç. Guerrilët ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila po lufton për të krijuar një shtet të pavarur për shqiptarët etnikë”, thuhet në fillim të artikullit derisa përshkruhet UÇK-ja.
Në të njëjtin artikull vetëm 2 ditë para ngjarjes së Jasharajve prononcohej edhe një i ri, 22 vjeçar nga Prishtina, me emrin Albin Kurti. Shihni çfarë i thotë gazetarit Albin Kurti.
“Tani kemi tri grupe njerëzish në Kosovë”, deklaronte Kurti. “Janë ata që e simpatizojnë UÇK-në, ata që na simpatizojnë neve që po provojmë të organizojmë rezistencë jo të dhunshme, dhe grupi më i madh që simpatizon me të dyja palët”.
Pra, këtu Albin Kurti ia bënte gazetarit amerikan të qartë se UCK-ja ishte dikush tjetër, ky dhe grupi i tij që provonin me rezistencë jo të dhunshme ishin të tjerë. Po ashtu edhe njerëzit ishin të ndarë mes atyre që kishin simpati për UCK-në dhe atyre që kishin simpati për grupin e Kurtit e të tjerët që provonin me metoda jo të dhunshme ta zgjidhnin problemin.
Pra, këtij të riu, 22 vjecar, nuk i kishte mjaftuar e as nuk e kishte bindur masakra e civilëve në Likoshan, Qirez e vende të tjera, për ta kapur armën. Refuzonte t’i takonte këtij grupi gueril.
Madje, kjo ishte një kohë, kur sic e thotë edhe teksti i gazetarit, “ka një numër në rritje të liderëve lokalë të LDK-së, që i janë betuar me aleancë forcës guerile”. Pra UCK-së. Po, Kurti e lëvizja e tij jo.
Pak ditë pas këtij artikulli, saktësisht me 5 mars 1998 fillon sulmi i madh i forcave speciale serbe kundër familjes së Jasharajve. Ngjarje që si asnjë tjetër, mobilizoi shqiptarët në Kosovë e jashtë saj, t’iu bashkohen radhëve të UÇK-së.
As ngjarja e Jasharajve, nuk e bindi dot Albin Kurtin se kundrejt serbëve duhet të luftohet. Kjo dëshmohet qartësisht në librin e Hoërd Clark me titull Rezistenca Civile në Kosovë.
Kurti, tre muaj pas betejës heroike të Jasharajve, ne muajin qershor, po provonte t’i organizonte të rinjtë e Kosovës për rezistencë paqësore. Siç tregon autori në libër, “edhe në qershorin e vitit 1998, Albin Kurti po provonte të organizonte një punëtori: ‘Lëvizja Paqësore aktive si një Alternativë ndaj përpjekjes së armatosur’”.
Organizimi i Kurtit për lëvizjen paqësore si alternativë kundrejt rezistencës së armatosur pritej të mbahej në gusht, por do të anulohej në korrik, sepse, Clark e thotë në libër që “problemi ishte se dinamika fuqizuese e krijuar nga demonstratat e vjeshtës së 1997 nga studentët, ishte zëvendësuar/tejkaluar nga entuziazmi dhe më pas paniku i ‘ardhjes’ publike të UÇK-së dhe masakrave të Drenicës”.
Në këtë libër të autorit është edhe një intervistë e vet Albin Kurtit. Është një moment interesant gjatë intervistës, kur Kurti i tregon Clarkut se gjithmonë është kujdesur që edhe kur i kanë sulmuar serbët të rinjtë në protesta, ky nuk i ka lënë ata të kundërpërgjigjen me dhunë.
Disa djem më thanë, ‘hajde, jemi mjaftueshëm në numër, hajde t’i kapim’, dhe e gjitha çfarë iu thash unë ishte ‘nëse unë e thërras demonstratën, atëherë do jetë paqësore’”, i thotë Kurti gazetarit.
Bindjet e tij për lëvizjen paqësore Kurti ia kishte bërë të ditura edhe aktivistit amerikan të paqes, David Hartsough, në një intervistë në tetor të vitit 1997, kohë kur Hartsough ishte drejtor i Punëtorëve të Paqes në San Francisko në SHBA.
Kurti tregon në intervistë se dëshiron të gjithë të kenë këtë frymë, prandaj shpjegon se si “kemi mbledhur shumë libra rreth mos përdorimit të dhunës dhe disa video me të cilat po fillojmë një librari (me literaturë) kundër dhunës që do jetë e mundshme për të gjithë studentët”.
Pra, kur lufta vec kishte filluar, Kurti ftonte të rinjtë në demobilizim ushtarak në aktivitet paqësor. Në protesta që nuk duhet të kthehet as dhuna me dhunë. Pra, edhe nëse policia sulmon, mos të sulmohet policia prapa.
Vërtetë e pabesueshme kjo, apo jo. Vecanërisht për të rinjtë e të rejat e Kosovës së pasluftës që e kanë parë Kurtin tek organizon protesta të dhunshme. Tek ju bërtet Policëve.
Tek thyhen sheshe të tëra, që të merren gurët e t’u hidhen policëve kokës. Tek sulmohen veturat zyrtare, e deri tek përdorimi i gazit lotsjellës, sprjtë për sy e armëve të kalibrit të rëndë.
Kosova është rasti i vetëm ku protestat për çlirim organizohen paqësore, e protestat pas çlirimit të dhunshme. E Kurti është i vetmi që me urdhër ndalonte të rinjtë të sulmojnë policët serbë e me urdhër ndërsente të rinjtë të sulmojnë policët shqiptarë. Deri edhe te demolimi i stacionit policor.
Po ky s’është ndryshimi i vetëm e as më kapitali. Ndryshimi më i madh është ai i njeriut që në pikun e luftës thoshte “se nuk e kap armën” e refuzonte t’u bashkohej moshatarëve të tij… E me t’u kryer ajo luftë, akuzonte ata që fillimisht refuzojë t’iu bashkohet, se nuk luftuan sa duhet.
Se e ndërprenë luftën në gjysmë. Luftën që ky lobonte të mos ndodhte. Kështu… për luftë me armë në dorë nuk janë të gjithë.
Por, lufta mund të përkrahet në 100 forma të tjera, pa armë. Dhe shqiptarët në shumicë e kanë dhënë këtë përkrahje. Por, Albin Kurti, e refuzonte luftën ndaj Serbisë si koncept. Mendonte se është gabim se nuk duhet të ndodhë, madje edhe atëherë kur ajo vec kishte filluar.
Prapë, do të blihej edhe kjo, sikur pasi të kryhej lufta, Kurti të mos thoshte: Unë kam qenë UCK. E ky është problemi pastaj, në kohë lufte luaje paqësorin. Në kohë paqeje, aktroje luftëtarin.
Në protesta kundër policisë së shteti okupator, urdhëro për qetësi. Në protesta kundër policisë të shtetit tënd, urdhëro për sulm. Në kohë lufte, demobilizo njerëz nga kapja e armëve. Në kohë paqeje, instrumentalizo të rinj në kapje armësh kundër shtetit tënd.
Dikush mund të thotë, ndoshta me të drejtë, se Albin Kurti është veç një mashtrues ordiner si shumë të tjerë.
Për mua ai është një plan.
Fatkeqësisht një plan fatkeq për ne, që po funksionon shumë mirë për ata./VOXKosova