Që nga fillimi ka qenë e ditur se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, krahas plotësimit të kritereve të tjera ligjore, ka qenë i lidhur edhe me gatishmërinë e institucioneve shtetërore, si qendrore ashtu edhe atyre lokale për të zbatuar vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit. Kjo gjë është konfirmuar si nga raporti i ekspertëve juridikë të kësaj organizate evropiane, që ka bërë vlerësimin e përputhshmërisë së infrastrukturës ligjore të vendit me standardet të Këshillit, në mënyrë të prerë shkruan mbi obligimin e Kosovës për ta zbatuar këtë vendim.
Po ashtu, përfaqësues të shteteve të Quintit me 20 maj të vitit 2023, në një deklaratë të përbashkët për media ishin shprehur “qartë se moszbatimi i këtij vendimi e pengon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”. Prandaj, shefat e misioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Bashkimit Evropian përsëriten thirrjen ndaj Qeverisë së Kosovës “që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit”. Këtë presion në mënyrë të veçantë e shtoi edhe Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për media lokale pat deklaruar se nuk sheh që kandidatura e Kosovës mund të ketë sukses nëse nuk zgjidhet çështja e Manastirit të Deçanit. “Tash për tash çdo qeveri e Kosovës nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndonjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por nuk shoh se kandidatura e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të zbatohet me sukses nëse kjo çështje nuk zgjidhet”.
Ndërkohë, sa më shumë që bëhej i qartë ky kusht, aq më tepër nga brenda vendit partitë politike zotoheshin se nuk do përfillnin këtë obligim. Kuptohet, kësaj fushata në masë të madhe i ka parapri Lëvizja Vetëvendosje duke e satanizuar në masë të madhe institucionin e Gjykatës Kushtetuese, si shërbëtore e vendimeve te kohës së Miloshevicit. Kryeparlamentari Glauk Konjufica, Kryeministri Albin Kurti e deri zv. Kryeministri Besnik Bisilimi. I pari në një intervistë në Rubikon shumë qartë e kishte thënë se kjo qeveri nuk dëshiron ta zbatojë të këtë vendim. I dyti kërkonte dialog me klerikët e Manastirit. Kurse, i treti e akuzonte bashkësinë ndërkombëtare për standarde të dyfishta ndaj Kosovës dhe i akuzonte gjyqtarët e Gjykatës, si jo profesional dhe të korruptuar.
Kuptohet me anë të kësaj fushate pushteti aktual, në dallim nga qeveritë e kaluara, që po ashtu nuk e kanë zbatuar këtë vendim, mëtonte ta ruante aureolën heroike për vete si i vetmi që nuk i përfill vendimet e padrejta ndaj shtetit të Kosovës. Mirëpo, ky narracion për nevoja të brendshme elektorale nuk i ka ndryshuar kriteret dhe kushtëzimet Këshillit të Evropës. Dhe tash kur po rrezikohet ky proces, Qeveria e Albin Kurtit, po tenton ta gjejë shtegdaljen në të njëjtën mënyrë si ka vepruar me gjithë procesin e dialogut, duke i mohuar brenda ato që i ka pranuar në takime me Borellin dhe Lajcakun. Pra tash po pretendon ta zhvesh vetën nga përgjegjësia për zbatimin e këtij vendimi, por edhe ta zhbllokojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kjo edhe është arsyeja që sipas mediumit Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës pret që pushteti lokal në Deçan, ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit. Madje, thuhet se ekzekutivi është i gatshëm që ta ftojë publikisht komunën për ta zbatuar “vendimin e dhimbshëm”, me qëllim që të dëshmohet se “Kosova është shtet ligjor”.
Kjo lojë e dyfishtë, nuk është asgjë e re, pos shprehje e strategjisë tashmë të njohur e pushtetit aktual, që meritat në rastin e anëtarësimit në këtë organizatë t’i marrë si pjesë e aftësive të saja diplomatike në politikën e jashtme, kurse barrën e asaj që vetë e ka definuar si tradhti kombëtare t’ia lë në derë Komunës së Deçanit.
Pa dyshim, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë evropiane është interes shtetëror, megjithatë nuk guxon të kalojë pa përgjegjësi politike.
/TV Arbëria