Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Si po shndërrohet Edi Rama në “model” të politikës gjermane?

Si po shndërrohet Edi Rama në “model” të politikës gjermane?

Shkruan: Afrim Kasolli- Që kur ishte nënshkruar marrëveshja ndërmjet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministres së Italisë, Gerogia Meloni për strehimin në territorin shqiptar të emigrantëve ilegalë që kapen në detin Mesdhe e të cilët e kanë cak Italinë, nuk kishin munguar kundërshtimet ndaj saj.

Së fundi edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur për pezullimin e kësaj marrëveshje një ditë para ratifikimit në Kuvendin e Republikës. Siç dihet, në funksion të zbatimit të këtij dakordimi Shqipëria do t’i ndërtonte dy kampe të refugjateve, një në Gjadër dhe tjetrin në Shëngjin, kurse Italia në këmbim të kësaj dhurate nga Qeveria shqiptare do t’i depozitojë deri në 16.milionë euro në llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë për strehimin e deri në 3000 emigrantëve.

Ajo që mbetej alarmuese në këtë drejtim, kishte të bënte me faktin se brenda shtetit shqiptar po shumëfishoheshin ato hapësira të jashtëligjshme, siç quhen ndryshe kampet e refugjatëve. Zona të banuara me njerëz pa të drejta, e të cilët ndodhen në një territor por ligjit e të cilit nuk vlejnë. Ndërkohë, të njëjtit e kanë humbur edhe mbrojtjen juridike të vendeve të tyre të origjinës në çastin që i kanë braktisur ato. Pra kategori kjo, që gjendet në “tokën e askujt”. E që për të menaxhuar fluksin e tyre u shpikën kampet.

Kështu, sipas filozofit italian Giorgoi Agamben, kampi u lind pikërisht nga nevoja e shteteve kombe për t’u ballafaquar me refugjatët. Në këtë kontekst, mori jetë ajo hapësirë e veçuar juridike dhe politike apo siç quhet ndryshe “gjendja përjashtimore” (state of exception), ku strehohen ata që nuk mund të integrohen në mënyrë “natyrore” brenda trupave juridikë dhe politikë, të këtij modeli shtetëror.

Por, përkundër kësaj specifike, sipas këtij mendimtari, të gjitha kampet, pavarësisht se a bëhet fjalë për ato të përqendrimit apo të refugjatëve, kanë diçka të përbashkët në vetvete, sepse ato janë krijuar në një boshllëk legal, përtej rendit të zakonshëm juridik, por i cili në të njëjtën kohë është i përfshirë në sistemin e pushtetit shtetëror. Pra është një hapësirë ku pushteti i pastër politik mund të veprojë i pa shqetësuar nga kufizimet e ligjit.

Kjo edhe është arsyeja që sipas G.Agambenit, stadiumi i futbollit në Bari të Italisë, i mbushur me emigrantë ilegalë shqiptarë në vite ’90, vendet si Guantanamo dhe Auschwitz janë esencialisht të njëjtë. Sepse ato janë vende ku të ndaluarit që mbahen brenda tyre, janë tërësisht të pambrojtur dhe të reduktuar në nivelin e “jetës së zhveshur” (bare life). Ndërkaq, ky model paradoksalisht ofron “paradigmën e fshehur” të botës në të cilën jetojmë.

Sidoqoftë, shërbimi që i ka ofruar Edi Rama Qeverisë së Italisë ka filluar të përmendet në debatet e partive politike evropiane, si model që duhet ndjekur edhe nga shtetet të tjera që janë në kërkim të shpëtimit nga presionet e brendshme, si për ta mbajtur azilkërkuesit përtej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ashtu edhe për te menaxhuar kampet e strehimit të tyre, përtej rendit të tyre juridik dhe politik shtetëror.

Kështu, partia opozitare gjermane CDU ka paralajmëruar se të njëjtën gjë që e ka bërë Italia me Shqipërinë, Gjermania do të bëjë me Ruanden. Në këtë mënyrë, azilkërkuesit e ndryshëm që e kanë cak këtë shtet, do të  mbaheshin përkohësisht në Ruanda, deri sa të shqyrtoheshin kërkesat e tyre. Natyrisht, janë përmendur edhe shtete tjera sikurse Moldavia dhe Gjeorgjia si mundësi për zbatimin e këtij plani.

Madje, siç shkruan “The Guardian”, Jens Spahn zyrtar i lartë i kësaj partie, ka pohuar se në këtë mënyrë do të pakësohej edhe numri i atyre që do ta synonin me çdo kusht Gjermaninë, kur do ta dinin paraprakisht se do të mbaheshin të izoluar larg këtij shteti. Po ashtu, edhe Austria është vënë në kërkim të një shteti jashtë BE-së për një marrëveshje të tillë.

Në këtë kontekst, shndërrimi i kësaj teme në premtim elektoral të partive politike në shtetet e Evropës perëndimorë, mbase dëshmon se tashme Edi Rama ua ka mësuar rrugën atyre se si duhet ta kërkojnë shpëtimin nga presioni i azil-kërkueseve. E që nuk përjashtohet mundësia që kjo rrugë të jetë edhe paralajmërim dhe hap nistor drejt një Evrope të “re” e që nuk e kemi njohur prej kohësh.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Themes by WordPress