Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si po shndërrohen Kosova dhe Shqipëria në strehë të racizmit të fshehur evropian?

Si po shndërrohen Kosova dhe Shqipëria në strehë të racizmit të fshehur evropian?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Nëse ka dy marrëveshje, që më së shumti kanë bërë bujë, që janë arritur ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë me shtete të veçanta evropiane, pa dyshim se në rastin e parë mbetet ajo me Danimarkën, e cila  miratua dje në Kuvendin e Kosovës, ku 300 të burgosur nga ai shtet, do ta vuajnë dënimin në qytetin e Gjilanit, dhe e dyta me Italinë për ndërtimin e kampeve të refugjatëve në Gjadër dhe në Shëngjin, me qëllim strehimin e azil-kërkueseve që kanë destinacion Italinë?

 

Si Qeveria e Kosovës ashtu edhe ajo Shqipërisë, këto marrëveshje i kanë arsyetuar më përfitimet financiare që do t’i gëzojnë të dy vendet. Në rastin e Kosovës, është thënë se sipas këtij traktati më afat 10 vjeçar, përftimet do të jenë deri në 200 milionë euro. Kurse në rastin e Shqipërisë, Italia në këmbim të kësaj ndihme do t’i depozitojë deri në 16. 5 milionë euro në llogari të posaçme të Thesarit të shtetit shqiptar, me qëllim strehimin e deri 3000 migrantëve. Mirëpo, përtej këtyre benifiteve ekonomike, avokuas të drejtave të njeriut kanë ngritur alarmin mbi implikimet politike, juridike, humane dhe morale që kanë marrëveshje të tilla.

 

Është pak e besueshme se traktati për strehimin e të burgosurve nga shteti i Danimarkës në Kosovë, ka të bëjë me faktin se tashmë qendrat korrektuese në atë shtet janë të mbushura, dhe në këtë mënyrë synohet depopullimi i tyre. Siç dihet nga të gjithë, shteti danez është njëri nga shtetet më te pasura në planet. Shkalla e mirëqenies ekonomike i ngjason parajsës “post-historike” dhe ai vend nuk do ta kishte asnjë telashe për t’i zgjeruar ato hapësira, apo për të ndërtuar qendra te reja korrektuese, pa kërkuar ndihmë edhe nga Kosova. Po ashtu, nëse qëllimi i kësaj marrëveshje do ishte investimi danez në Kosovë, ekzistojnë shumë sfera tjera si në atë ekonomike, arsimore e kulturore, ku do të mund riorientoheshin këto fonde. Në fund të fundit, siç ka thënë shkrimtari i njohur francez Victor Hugo, “nëse do të mbyllesh një burg, hape një shkollë”.

 

Prandaj, ka gjasa që kjo marrëveshje të përdoret për motive dhe qëllime krejt tjera. Që shteti danez t’i transferojë në burgjet e Kosovës, të burgosurit nga vendet e treta, që aktualisht janë duke vuajtur dënimin në atë vend. Pra është mos durimi i heshtur i autoriteteve të këtij shteti ndaj tjetrit me përkatësi të ndryshme religjioze, racore dhe kombëtare,  që mund të ketë ndikuar që ta kërkojnë këtë marrëveshje të pa precedent në aspektin juridik, ku të burgosurit me origjinë nga një shtet tjetër, dërgohen nga “vendi pritës” për ta vuajtur dënimin jo në atë të origjinës, por në një shtet të tretë. Ndërkohë, një qasje e tillë, flet më shumë se asgjë tjetër, se sa shumë peshë ka ende në të menduarit politik evropian, doktrina e shtetit-komb, që sipas filozofit të njohur italian Giorgio Agambeni, e vendos “vendlindjen (la nativita) në themel të sovranitetit të vet”.  Dhe ku me këtë formulë, shteti-komb modern vazhdon të definohet mbi tri shtylla kryesore: “territori, shteti dhe lindja”.

 

Kontradikta të tilla e kishin shoqëruar edhe marrëveshjen e sipër cekur të nënshkruar ndërmjet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministres së  Italisë, Giorgia Meloni. Asnjë arsyeje ekonomike dhe morale nuk ekziston se pse një pjesë e territorit shqiptar duhet të shndërrohet në “kamp të refugjatëve” që kanë destinacion Italinë? Sepse, në këtë mënyrë vetëm sa do shumëfishohen, ato hapësira të “jashtëligjshme”, apo zona që banohen  nga njerëz pa të drejta, e të cilët ndodhen në një territor, por ligjet e të cilit nuk vlejnë për ta. Pra edhe kjo marrëveshje ka qenë e kushtëzuar vetëm nga interesat ideologjike të së djathtës italiane.

 

Në këtë mënyrë, me këto marrëveshje, si kryeministri Rama, ashtu edhe kryeministri Kurti( sepse ky i fundit, nuk mund të fshihet në këtë rast pas ministres së drejtësisë, apo asaj te ekonomisë) megjithë antagonizmat politike që i kanë shfaqur kohën e fundit, vetëm sa e kanë shndërruar vetën në instrumente ideologjike të së djathtës evropiane, përkundër faktit se janë vetëdeklaruar me prirje të majta politike.

 

 

Powered by WordPress