Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga përfundimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, partitë opozitare ende nuk kanë dalë me qëndrime zyrtare sa i përket shkaqeve që rezultuan edhe me një humbje shumë më të madhe elektorale sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Tërthorazi, ndonëse jo në mënyrë të hapur, ato i kanë veçuar dy faktorë si përcaktues për këtë dështim të tyre: fillimisht mbështetjen masive nga diaspora për Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe qasjen kritike të mediave ndaj pushtetit. Pra, sipas tyre, sikur edhe këto të fundit ta kishin përdorur një gjuhë më të butë ndaj Albin Kurtit, rezultati do të ishte ndryshe.
Se këto pretendime nuk qëndrojnë, e dinë edhe ato vetë. Mirëpo, mbase në këtë mënyrë, duke dashur ta zhveshin veten nga përgjegjësia për këtë dështim, i janë vënë gjahut publik në kërkim të “fajtorit të madh”.
Natyrisht, Lidhja Demokratike e Kosovës është dalluar edhe me një tendencë tjetër. Ka mjaftuar një deklaratë e deputetit të këtij subjekti politik, Besian Mustafa, se kishte qenë gabim votimi i Hashim Thaçit për president, që një pjesë e LDK-së, duke përfshirë edhe kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku, origjinën e kësaj rënieje të madhe politike ta kërkojë te “mëkati fillestar”, pra te bashkëqeverisja me PDK-në. Sipas këtij interpretimi, humbjet e sotme në raport me Albin Kurtin janë pasojë e atij gabimi fatal, nga i cili nuk po mund të dalin as sot e kësaj dite.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës më shumë është duke u përkujdesur se si ta mirëmbajë gjendjen e saj aktuale deri te një vendim përfundimtar i Gjykatës së Hagës, ku po gjykohen dy nga liderët e saj themeltarë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Deri në atë kohë, e njëjta ka vendosur t’i mbajë zgjedhjet e brendshme në të gjitha hallkat e saj për ta tejkaluar ankthin e pritjes. Sepse tashmë, të gjithë pa përjashtim në këtë subjekt politik janë të bindur se kjo është potenca maksimale e tyre.
Sidoqoftë, secila prej këtyre subjekteve ka preferuar ta shmangë ballafaqimin me një pyetje kryesore: pse dështuan ta bindin opinionin publik se Albin Kurti ishte shkaktari kryesor i bllokadës politike dhe institucionale nëntëmujore? Por, përkundrazi, lejuan që ky i fundit, nga përgjegjës, në fund të shfaqet si shpëtimtari kryesor i krizës. Sepse ishte pikërisht kjo klimë që ia dha atij bumin e fundit elektoral, më shumë se çdo gjë tjetër.