Temperaturat mesatare në Kosovë janë rritur gjatë dekadës së fundit, ndërsa fermerët po përballen me periudha më të gjata të thatësisë, valë të të nxehtit dhe reshje të shkurtra, por intensive.
Ndryshimet në temperaturë dhe në shpërndarjen e reshjeve po e bëjnë prodhimin bujqësor gjithnjë e më të paparashikueshëm. Ekspertët thonë se fermerët dhe institucionet duhet të përshtaten me këto ndryshime, nga përzgjedhja e kulturave dhe varieteteve deri te mënyra dhe koha e mbjelljes.
Për fermerët, ndryshimi i klimës nuk është vetëm çështje statistikash. Pasojat shihen drejtpërdrejt në ara dhe në të ardhurat e tyre.
“Puna e tre muajve u zhduk për gjysmë ore”
Ilvi Jupa, 64-vjeçar, bujk nga Komuna e Rahovecit, kishte mbjellë rreth gjysmë hektari me pjepër, në fshatin Bërnjak.
Stuhia dhe erërat e forta që nisën në këtë rajon më 21 korrik, si dhe reshjet e dendura të mëngjesit të 27 korrikut, ia përmbytën parcelën dhe ia shkatërruan të gjithë prodhimin.
“Tre muaj, i kemi shikuar për çdo ditë, se a po rriten [pjeprat], a po zhvillohen… Kur u bënë gati, për një gjysmë ore uji e fshiu krejt”, tregon Jupa për Radion Evropa e Lirë.
“Ky produkt ka shkuar dëm, është prishur. Janë kalbur nga poshtë, të gjithë. Tash, asgjë… vera është e humbur”, thotë ai.