Këto dy ditë opinioni u informua për dy zhvillime, që në shikim të parë nuk kanë koherencë me njëra tjetrën, por që në esencë mund të jenë rezultat i të njëjtës logjikë qeverisëse.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e njoftoi opinionin për vendimin e ri qeveritar për të subvencionuar për blerjen e lëndëve djegëse për ngrohje për familjet në asistencë sociale. Pra sipas të parit të qeverisë, çdo familje në asistencë sociale do t’i ndahen në 120 euro plus 30 euro shtesë për secilin anëtarë të familjes.
Ndaj këtij vendimi shprehën kritika partitë opozitare.
Berat Rukiqi nga LDK-ja me anë të një postimi në Facebook ka pohuar se Qeveria Kurti gjithnjë e më shumë po i ngjan një “organizate jo qeveritare”.
Sipas zyrtarit në fjalë kësaj partie, “krye mashtruesi, në presion nga skandalet, me dështime në çdo fushë që i prek qytetarët e vendit dhe nën sanksione, i kthehet edhe njëherë kartës te popullizmit. E ka shndërruar qeverisjen në nivelin e një organizate që shpërndan ndihma. Qytetaret nuk kanë nevojë për lëmoshe. Kanë nevojë për vende pune, si dhe jetë te përballueshme dhe te dinjitetshme”.
Kritika të ashpra ndaj këtij vendimi ka shprehur edhe partia tjetër opozitare, PDK.
Arben Mustafa nga ky subjekt politik, ka shkruar se “ Mirë që i paska ra ndërmend që ekzistojnë ato familje, sepse i ka braktisur plotësisht në këtë kohë të krizës së rritjes së çmimeve duke mos bërë asnjë rritje të shumës së përfitimit social për ato familje. Megjithatë, si në çdo rast tjetër, edhe në këtë rast vërehet ngathtësia e kësaj qeverie për t’iu përgjigjur me kohë nevojave të qytetarëve. Dihet mirëfilli se drunjtë për ngrohje blihen më herët, kur kushtet atmosferike janë më të mira, dhe jo në këtë kohë kur familjet e varfëra ka javë që po sfidohen me temperaturat e ulëta në shtëpitë e tyre dhe kushtet për ti përgatitur drunjtë për ngrohje tani janë shumë më të vështira. Kjo qeveri si duket është përcaktuar që ta përfundojë mandatin me “harrnime” të tilla të përkohshme dhe të mos ofrojë asnjë zgjidhje të qëndrueshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Subvencione dhe subvencione – asgjë tjetër!”
Ndërkohë, pa kaluar shumë kohë, kompanitë KEDS dhe KESCO po ashtu treguan se Kosova po përballet me mungesë të prodhimit të mjaftueshëm të energjisë elektrike, për çka kompanitë në fjalë për të mbuluar këtë deficit por detyrohen të blejnë energji elektrike në vlerë mbi 1 milionë euro në ditë.
Këto të dhëna mbase ofrojnë vetëm një pjesë të mozaikut se si po administrohet dhe po menaxhohet buxheti i shtetit nga ky pushtet. Kryesisht pjesa më e madhe e tij ka filluar të orientohet në sferën e subvencioneve, të cilat ndonëse mund të krijojnë një lehtësi momentale, në të vërtetë nuk ofrojnë asnjë garanci për zhvillim afatgjatë dhe qëndrueshmëri ekonomike. Këtë fakt e mbështesin edhe të dhënat se përkundër kësaj mënyre të shpenzimit të parasë publike në të vërtetë varfëria ka ardhur duke u rritur në Kosovë gjatë kësaj kohe.
Kështu, sipas raportit të UNDP “Shqyrtimi i dinamikës së varfërisë së amvisërive përballë inflacionit” 26,610 qytetarë janë më të varfër në vitin 2023 krahashuar me vitin 2021. Pra 16% e banorëve të Kosovës jetojnë me rreth 1.85 euro në ditë. Nëse marrim parasysh të dhënat e vitit 2021 atëherë përqindja e varfërisë është shtuar nga 14.5 % në 16 %. Rrjedhimisht, në shtetin e Kosovës aktualisht në varfëri jetojnë rreth 283.835 shtetas të Kosovës krahasuar me 257.225 sa ishin në vitin 2021.
Kishte qenë ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti aktual i LDK-së, Abdullah Hoti i cili gjatë seancës në miratimin e ligjit për buxhetin që i kishte sulmuar këto anomali të strukturës së përforcimit të parasë publike.
Sipas tij, “nëse e krahasojmë vitin 2017 me vitin 2022 investimet kapitale ka rënë nga 36 % në 16 %, si shpenzim real dhe jo si planifikim. Ndërkaq, subvencionet nga 23 % janë rritur në 41 %. Dhe kjo është arsyeja që nuk shohim zhvillim real ekonomik, por vetëm rritje masive të subvencioneve” pat deklaruar ai.
/TV Arbëria