Shkruan: Afrim Kasolli
Lidhja Demokratike e Kosovës, përkundër kritikave që ka aritkuluar kohë pas kohe ndaj modelit qeverisës të Albin Kurtit, ajo thujase asnjëherë nuk ka pasur guxim t’i kundërvihet politikisht atij gjatë kësaj kohe. Madje ka qenë në shërbim të tij. Nëse jo drejtpërdrejtë, të paktën terthorazi e bënë të njëjtën gjë sot e kësaj dite.
E vërteta e trishte është se kjo parti nuk mund të jetë kundër Albin Kurtit, ngase nuk ka guxim të pozicionohet kundër Vjosa Osmanit. Sa nga trauma për pasojat që i ka shkaktuar presidentja në trupin elektoral të kësaj partie, nga interesat e përbashkëta të Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut e arsye tjera që janë mister, kjo parti asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të dal kundër të parës së shtetit për një mandat të plotë. Madje, edhe e ka mbrojtur kur shihej qartë si loti se lojërat e saj politike ishin në shpërfillje ndaj rendit kushtetues, sikur se me shkarkimin arbitrar të ish-kryetares së KQZ-se Valdeta Dala, apo me bllokimin e emërimit të kryeprokurorit të shtetit.
E njëjta heshtje mortore e ka veçuar këtë parti edhe ndaj komenteve të Presidentes lidhur me kërkesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nënkryetarin e Kuvendit nga partitë minoritare. Komente këto që nuk ishin asgjë tjetër pos një jehonë e paradës propagandistike të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj atij institucioni.
Por LDK-se as në këtë rast nuk i shpetoi asnjë fjalë. Dhe asnjë qendrim ndaj kësaj loje të dyfishtë shtetërore të saj.
Për më shumë, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, kjo parti u perkujdes që ta emeronte në krye te saj atë lidership që ishte me afër botëkuptimit dhe sindromit populist të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit dhe për t’i larguar nga drejtimi i saj ata që nuk ishin të preferuarit e atij tandemi politik.
Një “reformë” e tille partiake dëshmon më mirë se asgjë tjetër se pse kjo parti gjatë kësaj kohe nuk ia ka dalur të çlirohet nga prangat hegjemonike të Albin Kurtit. Sepse nuk mund të jesh kundër tij duke e perkulur kokën si struci në rërë para Vjosa Osmanit. Ngase e para e shtetit dhe lideri i Vetëvendosjes janë një dhe të pandarë. /TV Arbëria