Kjo javë solli një përplasje të re ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës, për shkak të rregullores së re të BQK-së për ndalimin e dinarit në komunat më shumicë serbe.
Ambasadori amerikan, disa herë bëri thirrje që të pezullohet ky vendim. Në funksion të kësaj agjende, ai u takua edhe me drejtorin e BQK-së, Ahemet Ismalin. Ndërkohë, përkundër takimit të përbashkët ndërmjet Kryeministrit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Jeff Hovenier, i shkoi edhe personalisht në zyre të parit të Qeverisë.
Pas këtij takimi ai bëri një paralajmërim shqetësueses se si ky vendim mund të shndërrohet në burim të përplasjeve të reja etnike në Kosovë. Ndërkohë, edhe më i frikshëm ishte mesazhi i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në komunikatën për shtyp, DASH deklaroi se me këtë qasje Prishtina “po ia bënë të pamundur Amerikës avokimin ndërkombëtar për interesa të Kosovës”. Nuk kemi nevojë të zgjatemi më shumë për ta analizuar rëndësinë që ka mbështetja ndërkombëtare e Amerikës për Kosovën.
Mirëpo, është interesant të analizohet mënyra se si pushteti në Kosovë po i përgjigjet këtyre paralajmërimeve. Fillimisht, Kryeparlamentari Glauk Konjufca, e kontestoi konstatimin e ambasadorit amerikan, kur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, deklaroi se “situata në veri nuk del prej kontrolli pse dinari është hequr nga përdorimi”.
Ndërkohë, kryesori ka ndjekur një strategji tjetër. Ai nuk është përgjigjur drejtpërdrejt në asnjërën nga këto shqetësime. Por pak kohë pas paralajmërimit të DASH-it, në faqen e tij personale në Facebook ka postuar një video ky i bënë një bilanc pozitiv suksesit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës nën drejtimin e kësaj Qeverie vetëm në këtë fillim vit.
Me këtë rast, Albin Kurti shkruan se “Na janë hapur shumë dyer dhe i kemi hapur shpesh dyert tona, sepse Republika jonë ka shumë miq dhe partnerë. Në këto tre vite kemi qenë nikoqir të shumë prej tyre. Vetëm në muajin janar mirëpritëm ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Cameron, Kryeministrin e Irlandës, Varadkar, ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Dvorak dhe Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Pendarovski. Për një fillim të mbarë të edhe një viti tjetër të bashkëpunimit ndërkombëtar e partneritetit vleror”.
Shtrohet pyetja a mos po i tregon në këtë mënyrë Albin Kurti, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se Kosova tashmë mund të ia dalë edhe vetë në sferën e diplomacisë ndërkombëtare. Dhe se ajo ka edhe aleatë dhe miq tjerë që mund të mbështetet, përkundër paralajmërimit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Sepse publikimi i këtij postimi vetëm pak qaste pas komunikatës së DASH-it, vetëm rastësi s’mund të konsiderohet.
/TV Arbëria