Jashtë Lindjes së Mesme, liderët botërorë po përpiqen t’i përgjigjen planit të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, se SHBA-ja duhet ta marrë përsipër Gazën.
CNN përmblodhi se si janë përgjigjur disa:
Franca: Vendi “përsërit kundërshtimin e tij ndaj çdo zhvendosjeje të detyruar” të palestinezëve, tha një zëdhënës i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Zëdhënësi paralajmëroi se çdo zhvendosje e detyruar do të përbënte një “shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar, një sulm ndaj aspiratave legjitime të palestinezëve” dhe do të provonte një “pengesë të madhe për zgjidhjen me dy shtete”.
Gjermania: Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock hodhi poshtë planin e SHBA-së, duke thënë se Gaza “ashtu si Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor – i përket palestinezëve”. Baerbock tha të mërkurën se “dëbimi i popullatës civile palestineze nga Gaza jo vetëm që do të ishte i papranueshëm dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, por gjithashtu do të çonte në vuajtje të reja dhe urrejtje të re”.
Spanja: “Dua të jem shumë i qartë për këtë: Gaza është toka e palestinezëve të Gazës dhe ata duhet të qëndrojnë në Gaza”, citoi Reuters të ketë thënë ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares Bueno të mërkurën.
Mbretëria e Bashkuar: Ministri i Jashtëm David Lammy tha se “Donald Trump ka të drejtë” që Gaza është shkatërruar dhe “është e shtrirë në rrënoja”, raportoi Reuters. Por, ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka qenë “gjithmonë e qartë në besimin tonë se ne duhet të kërkojmë dy shtete. Ne duhet të shohim palestinezë të aftë të jetojnë dhe të përparojnë në vendlindjet e tyre, në Gaza, në Bregun Perëndimor”.