Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si po i ndihmojnë partitë opozitare Albin Kurtit që të sigurojë pushtet edhe më të madh?

Si po i ndihmojnë partitë opozitare Albin Kurtit që të sigurojë pushtet edhe më të madh?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Para pak dite kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar komune në Fushë Kosovë, Valon Prebreza, e njoftoi opinionin se ka arritur marrëveshje për balotazh me degën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në këtë komunë, me qëllim që kjo e fundit t’i ofrojë mbështetje për këtë garë. Po ashtu, u tha se kanë filluar bisedat edhe degën e Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.

E njëjta praktikë u përsërit edhe në qytetin e Vushtrrisë. Kryetari i degës së LDK-së në këtë qytet e nënshkroi partneritetin për bashkëpunim politik me Lëvizjen Vetëvendosje për raundin e ri të votimit. Në këtë rast ceremonia e kësaj martese të re politike ishte më glamuroze. Nuk kishte si të mungonte edhe vetë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kur nënshkruhej kjo kontrate e re politike.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës e quajti një akt të tillë si papranueshëm. Dhe premtoi se masat ndaj shkeljes së vijës statutare do të merren pasi të përfundon balotazhi. Ndërkohë, nëse Prokuroria (sic po thuhet se i ka nisur hetimet për qytetin e Mitrovicës) nuk gjene asnjë shkelje, atëherë ajo që ka ndodhur me rrjedhjen e votave të kandidatit të LDK-së për kryetar komune në atë qytet me 12 tetor, mund te jetë edhe pasojë  e ndonjë pazari politik në prapaskenë, për ta mbështetur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci. LDK deri më tani nuk ofruar asnjë shpjegim zyrtare se ku është davaritur ai kontingjenti i votave që e kishte siguruar kjo parti në vitin 2021, por që të njëjtat, madje më një ngritje të lehtë i ka edhe në këto zgjedhje për Asamble Komunale, mirëpo mungojnë për kryetar të komunës. Sipas të dhënave të KQZ-së, ky subjekt në zgjedhjet lokale të para katër viteve kishte fituar 3636 vota, apo 11.78%, kurse në ato të muajit të kaluar 1146 apo 3.57 %

Sidoqoftë, në rrethana normale mbase aleanca të tilla nuk do ishin asgjë e jashtëzakonshme. Ato mund të cilësoheshin vetëm si të kushtëzuara në detyrimet pragmatike që i kanë partitë politike në rajone specifike. Por në rastin e  Kosovës si dhe zotimeve që subjektet “opozitare” kanë deklaruar se do t’i qëndrojnë besnik, për ta minuar me çdo kusht pushtetin e Albin Kurtit kanë efekt të kundërt. Ngase e ato e forcojnë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje pikërisht në atë nivel të pushtetit ku ai ka qenë i dobët tradicionalisht. Dhe ia mohojnë vetës të vetmen armë që e kanë ne dispozicion për rezistencë ndaj hegjemonisë se Albin Kurtit.

Për shkak të natyrës organizativë të këtij subjekti politik çdo votë për një kandidat për kryetar komune nga Lëvizja Vetëvendosje është votë për Albin Kurtin personalisht. Ky i fundit siç kanë dëshmuar si zgjedhjet e vitit 2021 ashtu edhe këto të vitit 2025, nuk mund të luftohet me strategjitë e betejës totale nga liderët e  partive kundërshtare në nivel nacional. Por vetëm duke e bazuar në taktikat e rezistencës lokale, sepse “karizma lideriste” i jep një përparësi serioze Albin Kurtit në raport si me Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun ashtu edhe Ramush Harendinajn. Pra i  vetmi teatër ky ai mund të sfidohet është niveli i qeverisjes lokale ashtu siç ndodhi në zgjedhjet lokale  të para katër viteve, ku e njëjta dështoi ta korr suksesin e zgjedhjeve parlamentare.

Mirëpo, siç duket këto parti sa nga frika ashtu edhe opurtunizimi momental kanë vendosur ta kërkojnë shpëtimin politik në krahët e Albinit Kurtit, duke e forcuar këtë te fundit pikërisht aty ku ai është më i dobët.  Prandaj, secila prej tyre më as nuk kanë arsyeje që ta  shmangin bashkëpunimin në nivel qendror deri sa e bëjnë këtë në nivel lokal. Madje me gjoja këtë refuzim partitë “opozitare” po dëshmojnë se janë të interesuara ta mbajnë shtetin të bllokuar në krye, por ta përfitojnë nga Albin Kurti në bazë.

 

Kjo qasje tregon secila prej partive “opozitare” nuk kanë mësuar asgjë nga gabimet e së kaluarës, të  cilat herë nga bashkëpunimi i hapur e herë sekret me Albin Kurtin, kundër njëra tjetrës i ndihmuan atij që të bëhet ai që është. Rubikonin e “ostracizmit politik” kjo parti e kaloi në vitin 2013 kur Partia Demokratike e Kosovës u vu atëbotë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje në balotazh kundër Isa Mustafës. Në këtë mënyrë u përçua mesazhi se Lëvizja Vetëvendosje si çdo parti tjetër nuk do të mbetet pafundësisht “rrugëve”, por edhe ajo si të tjerat do të mund të akomodohet e rehatohet në pushtet. Ndërkohë, kjo praktikë vazhdoi me VLAN-in në vitet 2014-2017, si dhe me bashkëpunimin opozitar ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër PAN-it.

Në këtë kontekst, që nga përfundimi i zgjedhjeve të 12 tetorit po vërehet qartë një antagonizëm më i madh nëpër shumë komuna, në mes të LDK-së dhe PDK-së ndërmjet vete, se sa më Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe ky paradoks, krahas dinamikave lokale, mund të jetë i kushtëzuar edhe nga kalkulimi sepse drejtuesit e dy partive të para, janë të vetëdijshme se tëra që u mbetet është beteja për vend të dytë në nivel nacional, ngase e kanë bindur vetën se pozita e të parit mbetet e pa kontestuar.

Me këtë rast, sa më shumë që e dëmtojnë njëra tjetrën në nivel lokal aq më shumë i kanë gjasat që ta ruajnë pozitën e të dytit në zgjedhjet parlamentare, të cilat sipas të gjitha gjasave tashmë  po bëhen të pashmangshme. Mirëpo, në këtë mënyrë si PDK ashtu edhe LDK( por pa përjashtuar edhe AAK), vetëm sa po e forcojnë dhe lehtësojnë edhe më tej pozicionin e padiskutueshëm dhe gati “absolut” të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe po e përçojnë mesazhin publik se fitorja e zgjedhjeve në nivel nacional është shndërruar në tabu temë për to edhe për një kohë të pacaktuar.

Prandaj edhe në vend të rezistencës ndaj Albin Kutit partitë opozitare e kanë zgjedhur bashkëpunimin me të si parakusht për mbijetesën e tyre politike.