Shkruan: Afrim Kasolli
Ka kohë që disa zyrtarë të PDK-së, janë duke i glorifikuar cilësitë morale të Bedri Hamzës. Sipas tyre, kandidati i këtij subjekti politik, duhet të votohet nga qytetarët e Kosovës, sepse ai është shembull i përkryerjes njerëzore, i ndershëm dhe nuk është i njohur për asnjë aferë korruptive. Nuk ka akumuluar pasuri dhe jeton në një banesë të vogël në qytetin e tij të lindjes.
Pra thuajse e gjithë strategjia elektorale e kësaj partie është reduktuar tek zbatimi i vendimit të Hashim Thacit, për t’i rritur pagat dhe tek portretizimi i Bedri Hamzës, si një kalorës i virtyteve në një botë politike, që është zhytur gjithnjë e më shumë në moçalin e veseve, krimit dhe abuzimeve. Kështu tashmë ai me shembullin e tij njerëzor dhe politik do të shndërrohet në një guidë ndriçuese për të dalur nga kjo gjendje ku jemi katandisur.
Është e drejtë e këtij subjekti dhe strategëve të saj politikë që t’i afirmojnë këto parime të kandidatit të tyre. Mirëpo, nëse ata janë konsekuent dhe insistojnë për t’i kumtuar këto detyrime si obligative të domosdoshme dhe universale, atëherë mund t’iu kthehen në bumerang kolektiv partiak. Sepse nëse kriter për ta votuar dikën është fakti se ai e ka vetëm një banesë dhe jo diçka më shumë, atëherë pse kjo parti në hierarkinë e saj ka toleruar zyrtarë që kanë disa shtëpia, vila në Brezovicë dhe biznese private? Fakte këto që dëshmohen edhe nga të dhënat zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsionit. A do të thotë kjo se pikërisht në këtë mënyrë ky subjekt është drejtuar nga zyrtarë të tjetërsuar nga realiteti shoqëror dhe politik në vend dhe individë që nuk janë shembull i duhur politik për të ardhmen?
Në këtë kontekst, kjo gjuhë duale, nuk është asgjë tjetër, pos shprehje e çarjes së vetëdijes politike të këtij subjekti. Prandaj, me këtë qasje ata sikur duan ta qetësojnë vetveten për shkak se shumica e drejtueseve të saj nuk e përfaqësojnë atë që e proklamojnë te drejtuesi i tyre.
E, kontradikta të tilla i ka përshkuar në mënyrë gjeniale psikologu i njohur Erich Fromm në librin e tij “Të kesh apo të jesh”. Ky teoricien i shkollës kritike tregon se si shumica e shoqërive perëndimore për shkak të afirmimit e impulsit të posedimit, e përdoronin jetën dhe sakrificën e Krishtit si mjet të qetësuar ndërgjegjen e tyre të vrerosur, sepse ishte ai që kishte dashuruar dhe ishte martirizuar edhe për këto shoqëri. Me një fjalë ato mësime transformoheshin në një ideologji për ta mirëmbajtur të kundërtën e atij pushteti që e rekomandonin predikimet e tij.
Ngjashëm edhe disa zyrtarë drejtues të kësaj partie në këtë mënyrë të gjendur në një situatë pa shtegdalje kanë filluar ta përdorin Bedri Hamzën si figurë që paraqet shembullin e asaj që ata nuk janë. Prandaj ata mund ta jetojnë edhe më tutje atë jetë të kundërt me atë të kandidatit për kryeministër, ngase mund gjejnë satisfaksion shpirtëror nën ombrellën e heroit të tyre të sapo “zbuluar” politik./tvarbëria/