Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë kësaj fushate elektorale, por jo vetëm, ka renë në sy, një zhdërvjellëtesi politike e Kryetarit të Prishtinës për të dalë jashtë “kufijve” të ngushtë partiak.
Ai pati guximin që si i vetmi kandidat për kryetar komune në kryeqytet, nga tri partitë e mëdha, të trokas në dyert e Shoqatës së Veteraneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U zotua se do t’i adresonte kërkesat e tyre. Në këtë pikë madje kishte dështuar edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili. Nga frika se mund te humb vota ky i fundit e shmangi çdo identifikim publik me të kaluarën tonë historike.
Po ashtu, Perparim Rama u dallua me mbështetjen e tij si për protestën e organizuar kohë me parë në Prishtinë, ashtu edhe para dy dite në Tiranë kundër procesit të padrejtë që po e zhvillon Gjykata Speciale ndaj ish- krerëve të UÇK-se.
Dikush mund të thotë se kjo shfaqje e tij nuk është asgjë tjetër pos e kushtëzuar nga detyrimet elektorale. Nuk i përjashtoj këto motive. Në fund të fundit, janë edhe legjitime në terrenin e politikës. Mirëpo, ai këtë nevojë për vota nuk po e manifeston me një nihilizm malicioz duke tentuar për ta zhvleftësuar këtë trashëgimi historike, por pikërisht me një qëndrim afirmativ. Kjo edhe është aryseja që para pak dite pata shkruar se Perparim Rama në raport me Hajrrullah Çekun e Lëvizjes Vetevendosje dhe Uran Ismalin nga Partia Demokratike e Kosovës është shndërruar në apologjetin e vetëm publik të vlerave të luftës Prishtinë.
Kjo cilësi po ndikon që ai tashmë në sytë e opinionit dita ditës ta tejkalojë edhe liderin e LDK-se, Lumir Abdixhiku. Ky i fundit mbase për shkak të bashkëpuniminlt të gjatë me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin nuk po mund të dal nga skemat e introjektuara pseudo historike, për ta ndërtuar një botë të re duke e mohuar të vjetrën. Kurse, Perparim Rama duke qenë se ka hyrë në politikë pa këtë bagazh po shihet qartë se nuk i ka komplekset e së kaluarës. Ai si duket në dallim nga shefi i tij nuk është indoktrinuar nga fryma e mohimit të krahut të luftës nga politika, sipas zotimeve të Albin Kurtit. Prandaj edhe po e shohim krah për krah me përfaqësues të UÇK-se. E në mbështetës të tyre. Duke ndikuar në këtë mënyrë, siç e tha para pak ditësh miku im, gazetari Xhezair Dashi, që Lumir Abdixhiku të duket si një ministër i Albin Kurtit në raport me Perparim Ramen.