Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Si po e manipulon opinionin Vetëvendosja se Kuvendi është i konstituuar, madje edhe sipas kritereve të saj?

Si po e manipulon opinionin Vetëvendosja se Kuvendi është i konstituuar, madje edhe sipas kritereve të saj?

Shkruan: Afrim Kasolli

Që kur është certifikuar rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit, njëra nga temat më kontestuese juridike, ka qenë fakti se a kanë të drejtë anëtarët e kabinetit qeveritar të cilët po ashtu i kanë fituar edhe ulëset e deputetëve t’i mbajnë të dy postet? Qëndrimet politike të atyre që ishin pro mbajtjes në të njëjtën kohë të këtyre pozitave deri në votimin e Qeverisë së re dhe atyre që e kundërshtonin këtë opsion janë të njohura. Ndërkaq Kushtetua e Kosovës në këtë pikë është e qartë, përkatësisht në nenin 70 pika 2 ku thuhet se“ Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes”, si dhe në nenin 72 ku shkruan se “Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj”.

Megjithatë, vendimi i Gjykatës Supreme e qartësoi këtë dileme. Sipas kësaj instance juridike, nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë, është e kundërligjshme dhe shkelje të dispozitave kushtetuese. Këtu duhet kujtuar se është fjala për udhëzimin administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve fiskale, të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Këtë vendim që kufizonte konfliktin e interesit ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit, po ashtu e pat sulmuar me një komunikatë zyrtare edhe Qeveria në detyrë. Kurse vetë Hekuran Murati, nëpërmjet një reagimi në rrjetin e tij social në cilësinë e “super juristit” i tregonte Gjykatës Supreme se kur llogaritet që deputeti fillon ta ushtrojë funksionin e tij. Sipas tij, ky akt nuk është i lidhur me çastin e dhënies se betimit por me konstituimin e Kuvendit. Në mbështetje të kësaj teze ai i referohej edhe Aktgjykimit K0124/25 të Gjykatës Kushtetuese.

Ndër të tjera, i njëjti zyrtar qeveritar shkruante “deputetët ende nuk janë m’veshur me funksion, dhe rrjedhimisht as nuk kanë mundësi të ushtrojnë funksionin. E pa e ushtruar funksionin, s’mund të ketë as konflikt funksional apo papajtueshmëri sipas Nenit 72 të Kushtetutës”.

Por a nuk është kjo parti që tash ditë e natë po i mëshon tezës se Kuvendi është i konstituar, pavarësisht faktit se ende nuk është zgjedhur nënkryetari nga minoriteti serb? Se pritet vetëm dekretimi i liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti nga Presidentja Vjosa Osmani si mandatar për formimin e Qeverisë së re, sepse çdo gjë tashmë është finalizuar.

Duke operuar në këtë mënyrë, a po pranon vetë Lëvizja Vetëvendose pikërisht sipas kritereve të saj politike se tashmë është duke e shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën e vendit, deri sa anëtarët e Qeverisë në detyrë që janë edhe deputetë nuk japin dorëheqje në njërën prej posteve? Apo me refuzimin për ta bërë këtë akt të njëjtit po e pranojnë se Kuvendi nuk është i konstituar juridikisht, pavarësisht propagandës politike. /TV Arbëria